Nga Fitnete GRUDA
Platforma e bashkëqeverisjes me qytetarët parimisht zgjeron kufijtë e njohjes dhe mundësitë e zgjidhjes së problemeve. Nëse zbatohet në kohë dhe seriozisht, do të bëjë që qeveria të lëvizë bashkë me popullin. Në të kundërt, ajo do të mbetet vetëm në rangun e një vrulli për një qeverisje të pastër, duke prodhuar viktima dhe bërë kurban.

Koha më e përshtatshme dhe më rezultative për këtë platformë do të kishte qenë në vitin 2013, në mandatin e parë, para formimit të qeverisë për të identifikuar thellësisht problemet e qeverisjes së mëparshme dhe kjo do t’i shërbente për të hulumtuar në gjetjen e profesionistëve. Dhe kjo do të ishte një sfidë. Nëse të gjitha hallkat e sistemit do të kishin funksionuar zinxhir, bazuar në ligjet dhe standardet e vendosura, tani nuk do të kishte qenë e nevojshme kjo platformë, pasi të gjitha problemet dhe abuzuesit do të kishin dalë rrugës.

Kryeministri po e vë theksin te ngritja e zërit ndaj padrejtësive, e cila është për t’u admiruar, pasi është thelbi i një demokracie funksionale. Por, a e di çfarë ndodh me këtë kategori njerëzish?! A e di se shpeshherë eprorët e tyre u sulin kë të munden për t’ia mbyllur gojën duke cenuar integritetin e tyre, për t’i bërë problemet sa më pak të besueshme kudo që ato përmenden.

Po ashtu, kryeministri mëshon fort në kthimin e përgjigjeve brenda afateve të përcaktuara, të kërkesave/ankesave të qytetarëve drejtuar institucioneve. Por, si t’ia bëjë qytetari kur kjo përgjigje është (as po, as jo) në trajtën hidh e prit, njëra hallkë hallkës tjetër sepse faji nuk pranohet. Meqë po na pyet zoti kryeministër, unë mendoj të bëhet e mundur që njerëzit të ngrenë probleme në vendin e tyre të punës, pa pasur frikë për pasojat negative. Për këtë, në të gjitha nivelet e qeverisjes duhet të vihen njerëz profesionistë, të drejtë, jo korruptiv e abuzues, njerëz që paraqesin realitete dhe jo lustrime e deformime tek eprorët e niveleve më të larta, duke i bërë edhe ata të flasin për arritje të pakontestueshme edhe aty ku nuk janë dhe si pasojë, faji mbetet i ministrit kur përgjegjësia është në nivelet më poshtë.

Askënd nuk e lodh kërkesa për punë konform rregullave, por e lodh trajtimi me dy standarde dhe moszbatimi i rregullave që degradon institucionin. Kujtoj një komunikim me kryeministrin në kohën kur ishte kryetar bashkie, kur unë drejtoja një institucion arsimor kur sapo mori SMS, bëri telefonatë për shqetësimin, edhe pse isha drejtuese e qeverisjes të djathtë, duke ditur të bëjë diferencën. Kurrë nuk u hakmor ndaj kritikave që bëra në shtyp, përkundrazi ndihmoi shkollën me një kamp veror.

Po kështu vepruan edhe drejtorë, vartës të tij. Le të bëje të mundur kryeministri që kjo frymë të funksionojë edhe në qeverisjen vendore, duke zgjedhur njerëzit e duhur larg konkurseve farsë, ku për çudi më së shumti të emëruarit kanë qenë ata të komanduarit nga partia, edhe pse ata kanë qenë me pikët më të ulëta se konkurrentët e tjerë (kujtoj konkurset në qytetin e Tiranës, ku dëshmitare jam edhe vetë).

Për disa ligji ka funksionuar gjithmonë. Le të bëhet e mundur që ligji të funksionojë për të gjithë. Le të bëhet e mundur që edhe problemet që ngrihen në shtyp, të shihen si rregullatore e veprimtarisë në institucione e më gjerë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: