Më në fund, tani mund të themi emrin e ri të trajnerit të Kombëtares Shqiptare të futbollit. Ai është Christian Panucci, i cili do të zëvendësojë Gianni De Biasin, në krye të Kombëtares. Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane, sipas të cilave, në orët e vona të së hënës, është arritur akordi mes Panuccit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, shkruan “BalkanWeb”.
Burime për “BalkanWeb” pranë FSHF bëjnë me dije se Panucci është përzgjedhur mes shumë kandidaturash të tjera ku mund të përmendim Sedorf, De Kanio, Malesani, Zenga, etj, që u kontaktuan nga FSHF, për të marrë drejtimin e kombëtares, por në fund zgjodhën Panuccin për t’i dhënë besimin për të drejtuar Kombëtaren.
“Christian Panucci do të jetë trajneri i ri Shqipërisë: ish futbollisti i Milan, Real Madrid, Inter dhe Roma ka arritur një marrëveshje me Federatën shqiptare për t’u ulur në stolin e kombëtares shqiptare pas eksperiencës si asistent i Capellos me Rusinë në Kupën e Botës të vitit 2014”, shkruan Sportmediasset.
Screenshot_2
Në karrierën si futbollist, Panucci ka luajtur me klube me emër si Milan, Real Madrid, Inter dhe Roma, ndërsa si trajner, ka vetëm një eksperiencë si ndihmës i Fabio Capellos, në Botërorin e vitin 2014, me kombëtaren Ruse. Kombëtarja shqiptare do të jetë eksperienca e parë e Panuccit si trajner i parë. Nesër pritet që Panucci të mbërrijë në Tiranë, ku FSHF do të bëjë zyrtarizimin e tij si trajnerin e ri të Kombëtares Shqiptare.
(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb