TIRANË- Partia Demokratike ka zhvilluar një takim në kryeqytet pasditen e sotme duke prezantuar kandidatët për deputetë.

Dashamir Shehi, kreu i LZHK-së, i njëmbëdhjeti në listën e kandidatëve për deputetë të Tiranës e ka nisur fjalën e tij para qytetarëve duke kujtuar mesazhin e Astrit Patozit, i lënë jashtë listave të kandidatëve duke iu thënë ‘çunave të mos shohin batutat dhe barsaletat por atë që ka bërë dhe nuk ka bërë qeveria’. Shehi tha se kundërshtarit politik i ka rënë morali dhe se duhet larguar njëherë e më parë.

“Sapo shkroi një miku im në Facebook, që zgjedhjet janë serioze. Përtej shakave, kemi një kundërshtar që i ka rënë morali politik. Nëqoftëse ka burra në pushtet, nëse do ishin sjellë seriozisht, të jeni të sigurt që ne sot këtu mblidheshim kot por jemi këtu se këta zotërinj na kanë dhënë një shans të madh duke gabuar përditë, jo se kemi qenë ne të pagabueshëm apo kemi qenë kristalin por se këta e kanë tepruar dhe duhet të ikin një ditë e më parë”, tha Shehi.

Ai theksoi se opozita e sotme ka ndërmarrë një sfidë dhe se do ta qeverisë vendin jo më mirë se këta që janë sot por edhe më mirë se sa ka qeverisur vetë.

“Ne e kemi për detyrë, ne që i kemi hyrë kësaj rruge duam ta qeverisim Shqipërinë jo më mirë se këto që po e lënë sot, por edhe më mirë se e kemi qeverisur vetë. Ne do hymë në garë me veten dhe do ta fitojmë. Ju falënderoj që më kujtuat republikën e re. Përtej asaj që është një raporti i ri i institucionit me qytetarin, përtej raportit të ligjit me qytetarin, Republika e Re është një raport i ri i politikës me qytetarin, i njeriut të veshur me pushtet ndaj qytetarit”, tha Shehi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: