TIRANE- Një 43-vjeçar nga Tirana është shpallur në kërkim pasi akuzohet për mashtrim. Shtetasi me inicialet A.B, i dënuar edhe tre herë më parë për veprën penale të “Mashtrimit”, dyshohet se merrte automjete me qira për t’i lënë peng.

Zbulimi i rastit ka ardhur me finalizimin e operacionit “Rent a Car”, pas kallëzimit të bërë nga shtetasi O.Xh, përfaqësues i një kompanie për dhënien e automjeteve me qira, ku 43-vjeçari A.B, kishte marrë 5 automjete me qira dhe nuk i kishte kthyer më ato.

Sakaq, specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik, kanë arritur të dokumentojnë me prova ligjore, se shtetasi A.B, merrte automjete me qira në kompani të ndryshme dhe më pas i shiste ato me çmim më të lirë se ai i tregut në persona të tretë ose i linte në individë të ndryshëm me qëllim marrjen e shumave të ndryshme monetare (peng).

“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi P.C, 41 vjeç, i cili është proceduar në gjendje të lirë, jepte shuma të ndryshme monetare me qëllim përfitimi, “ku shtetasve të cilët i kërkonin shumat monetare, për garanci u mbante automjetet apo sende të tjera me vlera të larta monetare”.

Sipas policisë, Në garazh dhe në pjesën e oborrit të banesës së tij, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 22 automjete, ku 3 prej tyre janë automjete të marra me qera nga shtetasi A. B., pranë një shoqërie për dhënie mjetesh me qira.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
7 automjete të markës “Audi”
5 automjete të markës “Mercedes Benz”
2 automjete të markës “Ford”
2 automjete të markës “Volkswagen”
2 automjete të markës “Peugeot”
1 automjet i markës “Land Rover”
1 automjet i markës “BMW”
1 automjet i markës “Fiat”
1 automjet i markës “Porsche”

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi”, parashikuar nga Neni 143/2 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit A.B, dhe për veprën penale “Fshehje e të ardhurave”, ë ngarkim të shtetasit P.C.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: