Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame, që është një prej të ‘sakrifikuarve’ të marrëveshjes Rama-Basha, ka reaguar me një status në Facebook, në lidhje me paktin mes dy krerëve politikë.

“Basha kërkoi të merrte nën kontroll Aluiznin, se kujton se do fitojë vota. Dhe Rama pa u menduar ja dha këtë kontroll,” shkruan Lame.

Drejtori i ALUIZNI-t e krahason këtë ngjarje me një histori të Skëndërbeut të shkruar nga Marin Barleti. Një ditë më parë Lame tha se “kur emri im diskutohej në Partinë Socialiste, kishte gjithmonë nga ata që më konsideronin vetëm njëri teknik dhe jo politik. U desh marrëveshja Rama­Basha, që të kuptoja se isha njeri politik dhe jo teknik”

Statusi i Lames

“NUK ËSHTE PALLA, OR BIR!

Në këtë klimë mosbesimi të ndërsjellë, kryetari Basha i opozitës, me të drejtë të vet kërkoi që ta merrte ndën kontroll Aluizni-n, se mos e ndihmon të fitojë vota. Nga an’ e tija Kryeministri Rama pa u menduar dy herë ja dha këtë kontroll. E kjo punë, më sjell ndër mënd një histori prej qëmoti.

Barleti mes të tjerash shkruan për një ndodhí që s’di sa është e vërtetë, por edhe pa gjë zor të jetë. Sulltan Mehmetit, pasi u mund e u mund nga Skënderbeu ynë, i shkon një llaf që ish hapur, sipas të cilit Gjergji paskësh një pallë të madhe larë me flori, e cila bënkësh kërdi mbi kokat e turqve.
Atëhere Sulltani çon një dërgatë që ja kërkon pallën Gjergjit me çdo çmim. Gjergji nuk ua bën dy fjalën dhe e dorëzon pallën në dorë të dërgatës, por duke ju thënë: “I thoni zotit tuaj që nuk është palla, por krahu që e mban, ai që ka bërë kërdi mbi kokat tuaja”.

Edhe në këtë punën tonë, nuk ishte palla, ligje a përdorim fushate, që na bëri që të fitojmë zemrat e mbi 100.000 familjeve që përfunduan procesin çerek-shekullor të legalizimit të pronës së tyre. Ishte krahu, puna e përkushtimi i qindra djemve e vajzave që shkuan shtëpi më shtëpi cep më cep të Republikës, që na i dha këtë rezultat.
Do të rrojmë e do të shikojme që, edhe ne keto zgjedhje, kështu do jetë,” shkruan Lame

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb