TIRANE- Ish-kreu i PD-së, Sali Berisha pas votimit për kryetarin e ri të PD-së e pranoi për herë të parë se përgjegjësi kryesor për humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 qershorit është Lulzim Basha.

Por, pavarësisht kësaj ai ftoi çdo demokrat, përfshi dhe ata që sot nuk votuan, të gjejë gabimet e veta, të reflektojë dhe të bashkëpunojë për ringritjen e partisë.

“Përgjegjës për rezultatin është Lulzim Basha, pastaj përgjegjësi kanë me radhë, në shumë aspekte, secili duhet të shohë ku e ka një copë përgjegjësie edhe në bazë, edhe në degë. Duhet një tjetër strategji. Partia i ka mundësitë të bëjë një analizë të plotë që t’i shërbejë një strategjie të re që do ta çojë drejt fitores, e kuptoj se disa nuk votojnë, ka demokratë të zemëruar, i ftoj të zhvishemi nga emocioni, të mos e shohim humbjen si fatalitet, të mos dehemi nga humbja por të ulemi dhe të shohim çfarë do bëjmë që të mos ndodhë sërish”,- tha Berisha.

Në këtë linjë, Berisha iu dha një mesazh të qartë të gjithë kritikëve të Bashës.

“Është normale t’i kërkosh Bashës dorëheqje, por nuk mund t’ja imponosh nuk e ke në statut. Është normale të kërkosh shtyrje afati për zgjedhjet, por u mblodh kryesia dhe e gjykoi pastaj vendosi. Nuk dua të mbaj anën e askujt. Dëshiroj që të gjithë demokratët të fillojnë të gjejnë gjuhën e përbashkët, që të ndërtojnë një strategji të re fitoreje…Brenda çdo partie ka larmi deklaratash, por është jetike në vlerësimin tim, në mënyrë që një strategji e re të bëjë që kjo humbje të harrohet”.

Ai sqaroi gjithashtu se është tërhequr me kokë dhe s’do ketë më asnjë rol në PD. “S’do kem asnjë rol. Përpiqem nga mëngjesi në darkë të luftoj Edi Ramën, do luftoj dhe pasardhësin e tij. Po s’kam ndërmend të ndërhyj në punët e brendshme të PD”,- shtoi Berisha.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb