Shenjtërimi i Nënë Terezës është celebruar në Koruna, Spanjë, nga artisti i njohur, muzikanti Florian Vlashi, me një koncert kushtuar patriotes së tij të titulluar “Mesazhi i Nënë Terezës”, organizuar këtë fund jave në Katedralen Santiago de Compostela. Grupi Instrumental Siglo XX, drejtuar nga Vlashi, interpretuan pjesë nga “Shtatë fjalët e fundit të Jezu Krishtit”, kompozuar Joseph Haydn.

Koncerti i organizuar nga Katedralja Santiago de Compuesta në bashkëpunim me Ambasadën Shqiptare në Madrid, veç pjesëve instrumentale përmblidhte tekste të shkruara nga Nënë Tereza të lexuara Don Elisardo Temperán Villaverde.

“Janë fragmente që më kishin mbetur në mend dhe në një mënyre apo në një tjetër ndikuan në formimin tim, thotë Vlashi, me një karriere brilante ne Spanje, Anëtar Nderi i Albanian Excellence. Tingujt e tij virtuale dhe orkestra e krijuar nga ai, krijuan një atmosfere hyjnore ne këtë Katedrale, ku kishin ardhur shume njerëz, në nderim të shenjtores shqiptare, e nderuar këtë here nga shqiptari Florian Vlashi.

Më poshtë po botojmë pjesë nga intervista e Florian Vlashit me gazetaren Angela F. Novo, botuar në gazetën La Opinión

-Si lindi ideja për të organizuar një koncert dedikuar shenjtërimit të Nënë Terezës?
Shenjtërimi i Nënë Terezës në Vatikan, është një ngjarje me një rëndësi të jashtëzakonshme, përtej besimeve fetare apo shteteve. Nënë Tereza është një humaniste në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale dhe figura si ajo janë shumë të nevojshme në momentet e krizave të vlerave njerëzore. Ajo erdhi nga një vend si Shqipëria, që është shembull shumë i mirë i bashkëjetesës së tre besimeve.

Nga ana tjetër, në planin personal, unë si Shqiptar, ndjehem shumë krenar për këtë grua shqiptare me emrin Gonxhe Bojaxhi, çmimi “Nobel” i Paqes, e cila u kthye në një ikonë e Mëshirës dhe e Paqes. Aeroporti i vendit tim mban emrin e saj. Me duket një simbol i bukur që nga Aeroporti Madre Tereza nisen avionë në të katër anët e botës, si lajmëtare biblike. Po ashtu mbërritja në Tiranë “Mirësevini në aeroportin , Nënë Tereza”, tingëllon mjaft bukur, tingëllon si një përqafim.

-Çfarë do te veçoje tek figura e Nene Terezës?
Titulli i koncertit është “Mesazhi i Nënë Terezës”, por unë nuk jam në gjendje ta formuloj këtë mesazh. Çdo përcaktim do të ishte i pjesshëm. Fjalë që më shumë do ti afrohej mesazhit të saj, do të ishte dashuri. Ajo thoshte një frazë që më duket një filozofi e tërë, “Dashuro deri në dhembje”. Pas një fraze si kjo është më mirë të mos thuash asgjë. Vetëm mendo në heshtje.

E njoh jetën e saj, kam lexuar mjaft nga librat e saj të cilët i kam “keqtrajtuar” nga shënimet me laps. Por, më vjen keq për një gjë, që kurrë nuk e kam takuar personalisht, megjithëse kam ardhur shpesh tek qyteti im që nga fundi i viteve 80. Më kujtohet një nga ditët, duke ecur në shëtitoren e bregdetit, rastisa përballë shtëpisë së murgeshave, kur më ndalon tek këmbët një makinë e bardhë. Tek sedilja e pasme ishte ulur Nënë Tereza. Asnjë fjalë, asnjë përshëndetje, asnjë buzëqeshje. Ishte veç një takim shikimi jo më shumë sesa një sekond. Kjo ishte e gjitha. Kanë kaluar 27 vjet nga ai sekondë.

-Si u realizua ky koncert?
Falënderoj shumë mbështetjen e Katedrales së Santiago de Compostela dhe Ambasadën e Shqipërisë në Madrid dhe mbi të gjitha, kolegët e mi muzikantë. Është një koncert i vogël, me muzikë dhome, një koncert pothuajse intim por i realizuar me shumë pasión. Siç e këshillonte Nënë Tereza , “Duhet të bësh gjëra të zakonshme me dashuri të jashtëzakonshme”.

-Pse ke zgjedhur Katedralen e Santiagos për këtë koncert? Dhe pse pikërisht veprën e Haydn-it “Shtatë Fjalët e fundit të Krishtit në Kryq”?
Jam i sigurte se është shumë e vështirë të gjesh një vend më të bukur, më magjik dhe më emblematik se sa Katedralja e Santiago de Compostela. Është ideja që në koncert të asistojnë pelegrinë nga e gjithë bota, dhe kjo është prekëse.

Pse vepra e Haydn-it? Në radhë të parë është një vepër madhore, një perfeksion absolut dhe i mrekullueshëm, siç e ka përcaktuar dhe Manuel de Falla. Kjo vepër u kompozua para 230 vitesh si porosi nga një prift spanjoll nga Cadiz.

Përpara çdo kohe ka një tekst ku flitet rreth një momenti nga Bibla. Në këtë rast, kemi zgjedhur tekstet nga librat e Nënë Terezës. Për shembull, tek Sonata IV “ O zoti im ! Përse më ke braktisur?” një fragment nga teksti i Nënë Terezës është “ka shumë njerëz në botë që vdesin për një copë bukë, por ka akoma më shumë që vdesim veç për pak dashuri”. Pastaj vazhdon muzika që të bën të mendosh me këto fjalë.

-Si i zgjodhët tekstet që do lexoje Don Elisardo Temperán?
Përzgjedhja e teksteve ishte shumë personale. Unë mora librat e saj që kam në biblioteke, lexova ato pjesë që kisha nënvizuar me laps dhe kaq me mjaftoi. Janë fragmente që më kanë mbetur në mendje dhe, në një mënyre a në një tjetër, kanë ndikuar në formimin tim. Ndoshta disa nga ato janë mjaft dramatike si vargjet e « Megjithatë» kur ajo thotë :

“Jepi njerëzve më të mirën qe ke dhe do të godasin,
Por t’i jepja njerëzve më të mirën që ke, megjithatë”

-Cili do të jetë koncerti yt pas këtij?
Koncerti i ardhshëm do të jetë në Portugali më 1 tetor. Është një program për violine solo me titullin “Nga Shqipëria në Galici”, një udhëtim muzikor. Të gjithë ne që kemi dale nga vendet tona me një valixhe e një violine në dore, jemi në një fare mënyre “muzikante pelegrinë”. /ata/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb