LEZHE-Ish-kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka ashpërsuar tonet ndaj mbështetësve të rilindjes në Lezhë dhe ndaj kreut të Policisë së Shtetit, pas incidentit të ndodhur paraditen e sotme në Shëngjin. Një mbështetës i LSI-së, Florian Dushku u qëllua me armë nga tre persona, shumë pranë qendrës së votimit.

Përmes një deklarate për mediat nga Lezha, Meta përmendi emrat e tre autorëve të dyshuar se qëlluan me armë.

Sipas Metës, ata janë Samuel Ndoka, Don Ndoka dhe Genc Hakica.

Ish-kreu i LSI ndërkaq, akuzon policinë e Lezhës se ka manipuluar ngjarjen duke pretenduar se është shtënë vetëm një herë më armë. Por Meta thotë se është qëlluar dy herë, dhe i kërkon policisë të tregojë gëzhojën e dytë.

DEKLARATA E PLOTË

Sikurse e kemi paralajmëruar edhe më parë dhe jeni të gjithë ju dëshmitarë dhe populli i Lezhës, bandat e rilindjes prej kohësh pasi mbushën gjithë Lezhën me drogë, si shpërblim tani kanë marrë nga kreu porosinë për të dhunuar qytetarët e Lezhës, për të deformuar votën e qytetarëve të Lezhës dhe për këtë kanë mbështetjen e policisë drogës, nën udhëheqjen e Haki Drogës. Ju e dini që është kërkuar edhe nga ministri zëvendësimi i shefit të komisariatit këtu, i cili bashkëpunon ngushtë me këta personat që janë në kërkim.

Por kjo gjë nuk ka ndodhur, pasi sipas Haki Drogës nuk ka prova të mjaftueshme, vetëm kur të vriten njerëz, Haki Droga mund ta marrë seriozisht këtë çështje. Sot në ditën e zgjedhjeve, në festën e demokracisë, këta banditë: Samuel Ndoka, i dënuar dhe në kërkim, Don Ndoka, i dënuar dhe në kërkim, dhe Genc Hakica, sot në Shëngjin kanë sulmuar me armë, kanë qëlluar, dy herë, jo njëherë siç thotë policia e drogës, drejt aktivistit të LSI, Florian Dushku. Dhe e kanë goditur edhe me pistoletë në kokë. Kjo ngjarje ka ndodhur vetëm 70-80 metra larg qendrës së votimit në Shëngjin, në mes të ditës dhe në prani të shumë dëshmitarëve.

Florian Dushku ka qenë i shoqëruar nga Gjovalin Tusha. E gjithë kjo ngjarje kriminale, ku tre banditë me armë kërcënojnë, dhunojnë, godasin aktivistet ë LSI për të terrorizuar të gjithë banorët e Lezhës që të vendojnë të nënshtruar nën banditët e rilindjes. Në këto kushte dua të them, e para kam ardhur këtu se u kam thënë lezhjanëve se do ta mbroj popullin e Lezhës nga bandat e rilindjes në rast se policia e Haki Drogës bëhet palë me bandat e rilindjes siç është bërë sot dhe gjatë kësaj kohe.

Tani do shkoj bashkë me Florian Dushkun në prokurori që të merren masa serioze për ndalimin dhe arrestimin e këtyre banditëve të rilindjes. Por do t’i kërkoj Prokurorisë së ndjekë edhe çështjen e policisë së Lezhës e cila mban përgjegjësi për mosveprimet e saj, dhe deklaratat e pavërteta. Janë dy gëzhoja nga dy armë të ndryshme, ndaj policia e Haki Drogës urgjent të dorëzojë edhe gëzhojën tjetër.

Nuk do ndalemi para asgjëje për të mbrojtur votën dhe jetën e qytetarëve të Lezhës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: