E ftuar në emisionin “Natë me Xhaxhiun” në News24, ministrja e integrimit Klajda Gjosha ka folur për situatën aktuale politike dhe “ngërçin” që po kalon vendi jonë kur po afron data e zgjedhjeve. Ndër të tjerash, Gjosha ka komentuar edhe deklaratën e saj të mëparshme se Meta duhet të jetë kryeministër duke thënë se ishte një deklaratë saj partiake dhe jo zyrtare.
“Dialogu është e vetmja zgjidhje për krizën që po kalon vendi ynë dhe LSI është dakord për dialog dhe tryezë të përbashkët me opozitën. Në jemi dakord për të vijuar koalicionin me PS dhe janë strukturat e partisë ato që e vendosin. Por dua të theksoj se para koalicionit me PS duhet dialog edhe me opozitën dhe nuk mendoj se nuk do ketë zgjidhje për krizën. Busulla jonë e vetme është e drejtuar drejt integrimit në BE”, tha Gjosha.
INTERVISTA
Si po lexohet në Bashkimin Europian kriza politike në Shqipëri e cila po duket sikur nuk e ka një fund?
Unë do të thoja se ky është një test i madh për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Zgjedhjet janë një kriter i padiskutueshëm për të gjitha vendet aspirante për në BE, janë një tregues i funksionimit të demokracisë në vend. Sigurisht që monitorimi nga partnerët europianë për këtë proces është i përditshëm. Ajo çka ne duhet të tregojmë, është se Shqipëria është një vend që tashmë ka arritur standarded europiane për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Pse këtë herë znj. Ministre duket sikur ka një indiferentizëm të BE-së në lidhje me atë që po ndodh në Shqipëri?
Unë nuk do ta quaja indiferentizëm. Unë e thashë që në fillim që ky është një test dhe vendi ynë duhet ta kalojë këtë test. Procesit të  integrimit të Shqipërinë, do doja t’i bëja një paralelizëm me vitet e shkollës, të cilat ndahen me etapa. Ne kemi kaluar disa prej tyre dhe tani jemi përpara një provimi tjetër, të cilin nëse nuk do ta kalonim, hapja e negociatave do të ishte e vështirë. Ne gjithmonë kemi folur për procesin e vettingut si një kusht të panegociueshëm, por mos të harrojmë diçka, nëse Shqipëria nuk do të realizojë dot zgjedhje të lira, që do të njihen nga shqiptarët së pari e pastaj nga ndërkombëtarët, do të kishim një demokraci të cënuar ,Shqipëria do të kthehej shumë vite pas, nuk do të kishim institucione legjitimet as një kuvend legjitim me të zgjedhur nga populli dhe automatikisht do të kishim një ngërç edhe për zbatimin e vettingut.

Pra jeni duke thënë zero zgjedhje pa opozitën?
Unë do të thoja që në mënyrë absolute Shqipëria nuk duhet të mendojë të ketë zgjedhje pa opozitën, sepse opozita është e zgjedhur nga populli dhe si e tillë duhet të futet në një garë së bashku me maxhorancën, për të parë se kush duhet të jetë e zgjedhur nga populli, për të vijuar më pas me qeverinë e re, kushdo qoftë ajo sepse i takon qytetarëve të zgjedhin.

Duket se kemi një stopim të vettingut, në shtator Shqipëria duhet të paraqesë një raport të sajin për ecurinë e zhvillimeve politike, nëse gjërat nuk do të shkojnë mirë do të kemi një pengesë të procesit të integrimit, regres të tij, cilët janë skenarët?
Sigurisht që do të kishim një kthim pas për Shqipërinë dhe do të duhej një punë kolosale, për të rimarrë sërish këtë pozicion që ka arritur si një vend, që ka tashmë një rekomandim për çeljen e negociatave. Kështu që në këtë këndvështrim, unë do të rekomandoja si për opozitën ashtu dhe për maxhorancën, dialogun në tryezë të përbashkët si e vetmja zgjidhje që duhet t’i jepet vendit.

Znj. Ministre do doja t’ju bëja një pyetje për shtëpinë tuaj politike LSI, ku ju bëni pjesë. Çfarë ju pengon ta shpallni zyrtarisht koalicionin me PS?
Ne nuk na ka penguar asgjë. Ne kemi pasur edhe një vendim të Kryesisë përpara disa javësh ku kemi dhënë një dakordësi për vijimësinë e koalicionit me Partinë Socialiste. Megjithatë ne kemi kërkuar që përpara se ky koalicion të zyrtarizohet, të mundësohet dialogu në mënyrë që opozita të jetë pjesë e procesit zgjedhor.

Është kusht që i keni vënë Partisë Socialiste?
Nuk është kusht, është domosdoshmëri që gjithçka të shkojë ashtu siç duhet deri ditën e zgjedhjeve. Dialogu me opozitën duhet të ishte arritur kohë më parë. Opozita ka dy muaj që është në shesh dhe nuk është e lehtë as për qytetarët që dëgjojnë retorika dhe ultimatume politike të cilat mendoj se janë pa vend për të gjitha palët e për më tepër për një vend që synon të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Do thoja se jam me fat sepse duke qenë pjesë e LSI-së, kjo e ka ndihmuar edhe pozitën time si Ministre e integrimit, pasi dialogu është gjithmonë një kusht nga Bashkimi Europian dhe në këtë kontekst kërkimi i tij është pjesë e një kulture europiane të munguar në Shqipëri, por të domosdoshme për ne.

A mund të dialogohet me forca politike të cilat vënë kushte ekstreme?
Unë mendoj që ultimatumet nuk kanë vend në këto momente. Përpara stabilitetit të vendit dhe përpara detyrimit që kemi t’i sigurojmë qytetarëve tanë një të ardhme më të mirë. Zgjidhja vjen në tryezë, nga komunikimi mes palëve dhe pa kushte. Për këtë ne kemi kërkuar edhe ndihmesën e Partive Popullore Europiane, çka në fakt sërish nuk është normale, pasi duke iu kthyer procesit të integrimit mendoj se një vend që kërkon negociatat duhet të zgjidhë vetë ngërçet politike. Megjithatë të  ndodhur në këto kushte ne jemi të detyruar të kërkojmë këtë lloj zgjidhje, pasi afati i zgjedhjeve është i afërt. Besoj se të gjitha forcat politike janë zgjedhur për t’u ofruar siguri qytetarëve.

Ju ishit e pranishme në takimin mes zotit Rama dhe zotit Meta, çfarë u vendos aty që ne nuk e dimë?
Asgjë që ju nuk e dini. Zoti Meta ishte i qartë edhe në komunikimin që pati pas atij takimi.  Ne ramë dakord që dialogu është shumë i rëndësishëm, që duhet të ofrojmë të gjitha mundësitë, dhe duke parë mosbesimin e madh të krijuar mes palëve, të shihej mundësia për të ftuar një përfaqësues të Partive Popullore Europiane, për të ardhur këtu si një ndërmjetës dhe si një garantues i dialogut. Gjithashtu u diskutua për çështjen e presidentit, ku ne jemi të gatshëm për të vijuar procedurën, pa dhënë emra sepse ne do të presim në çdo moment opozitën të jetë  pjesë e zgjedhjeve konsensuale për presidentin.

Pse u” kryqëzua “ Klajda Gjosha pak javë më parë kur kërkoi që Kryeministri i ardhshëm të jetë z. Ilir Meta?
Nuk do ta shihja si kryqëzim, aspak. Unë isha në një takim partiak ku është normale  të flitet edhe për këtë çështje. Nuk ishte një deklaratë e bërë nga zyra e një Ministreje, por mes miqsh, simpatizantësh të LSI.

Kryeministri Rama është shprehur se nëse BE do të harrojë integrimin e Shqipërisë nuk përjashtohet mundësia e Bashkimit të Shqipërisë me Kosovën dhe e dyta iu kujtoi europianëve se duhet ta marrin seriozisht Ballkanin, pasi në të kundërt nuk dihet se çfarë ndodh. Jeni dakord me këto deklarata të Kryeministrit?
Unë di që Shqipëria ka dy drejtime kryesore, së pari është marrëdhënia e mirë me fqinjët dhe për këtë duhet të punojë jo vetëm politika por edhe vetë qytetarët, duke shkëmbyer traditën, kulturën e kështu me radhë dhe së dyti,  busulla jonë është e drejtuar qartë në procesin e integrimit, dhe nuk besoj se kemi arsye të tjera për të menduar që Shqipëria mund të marrë një drejtim tjetër. Ky është i vetmi drejtim që ka vendi ynë dhe besoj që kjo është dhe dëshira e qytetarëve shqiptarë.

A jeni vënë ndonjëherë në vështirësi si Ministre nga deklarata të caktuara nga segmente të politikës së Tiranës?
Nuk kanë rëndësi vështirësitë në të cilat unë vihem, jam shumë e qartë tek mendimi im, tek parimet kryesore që duhen ndjekur dhe te ajo që kërkohet për procesin e integrimit të vendit.

Ju jeni njëkohësisht edhe Kryetare e Lëvizjes së Gruas për Integrim, cili është sot raporti grua-LSI?
Mendoj që është një raport mjaft i mirë, pasi jam e bindur se LSI është e vetmja parti politike i mbështet ato realisht. Para 4 vjetësh ka propozuar përfaqësimin në masën 50% të vajzave dhe grave dhe ky është një model shumë i mirë që duhet ndjekur për të fuqizuar rolin e grave në politikë por edhe përtej saj.

Ka një trend nga të rinjtë shqiptarë për tu bërë me LSI, ka një gremç këtu?
Unë mund t’ju them që LSI ka një rini të jashtëzakonshme, për tu admiruar, një rini të shkolluar, që ka dëshirën për të parë një Shqipëri të zhvilluar, ka një rini që do të japë më të mirën për vendin, energjinë dhe nga ana tjetër ka një rini që ka gjetur një mbështetje në LSI, e cila i ka krijuar hapësira rinisë për të qenë pjesë e vendimmarrjes.

Është e vërtetë që një pjesë e këtyre të rinjve bëhen me LSI-në sepse thuhet se ajo ofron punë?
Kjo nuk është e vërtetë. Rinia e LSI sot i përket disa grupmoshave, mund t’ju them që një pjesë shumë e mirë janë të rinj që nuk kanë mbushur ende moshën për të punuar, nuk kërkojnë punë sepse janë në shkollë, por kërkojnë investim në arsim, në dije.

Ku do të votohet këtë vit për Klajda Gjoshën?
Për momentin jam e vendosur në Tiranë. Jam zgjedhur Kryetare e Njësisë nr. 1.

Jeni në përfundim të mandatit tuaj, pas 4 vitesh si Ministre e Integrimit, kur e ktheni kokën pas çfarë i thoni vetes?
Ka qenë një sfidë e jashtëzakonshme për mua. Besoj se ka pasur shumë arritje në këtë 4 vjeçar, do doja të përmendja statusin e vendit kandidat në 2014. Ka qenë punë e vështirë pasi qeveria e sapoardhur duhet të tregonte vendosmërinë për të çuar përpara reformat, çka në fakt e  tregoi. Arritja tjetër, është marrja e një rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave në 2016 që gjithashtu është një tjetër hap përpara. Për fat të keq nuk ka pasur një vendim të Këshillit për hapjen e negociatave. Unë shpresoj që t’i jepet sa më shpejt Shqipërisë, mundësia me një raport të ndërmjetëm, por për këtë politikanët kanë një përgjegjësi shumë të madhe, kanë përgjegjësinë e çuarjes së vendit në zgjedhje, konsolidimit të demokracisë dhe legjitimitetit të institucioneve dhe çuarjes përpara të të gjitha reformave që i shërbejnë të ardhmes së vendit.

Do doni ju të ishit sërish pjesë e kabinetit qeveritar pas zgjedhjeve?
Unë nuk kam kërkuar asnjëherë të jem pjesë e kabinetit qeverisës, nuk e kam menduar dhe besoj se kemi çështje më me rëndësi përpara. Unë kam qenë e nderuar që kam punuar për qytetarët shqiptarë këto katër vite dhe për këtë ua di për faleminderit vetëm atyre.

Çfarë nuk ke bërë mirë si Ministre, e ke pyetur veten ndonjëherë që këtë gjë mund ta kishe bërë më mirë?
Ka pa diskutim gjëra që në të përditshmen tonë që mund të ishin bërë edhe më mirë. Megjithatë kur sheh disa arritje madhore, them që gjërat e vogla rregullohen dhe kjo vjen edhe në sajë të eksperiencës së fituar në këto vite.

(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: