Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti ceremoninë me rastin e 10-vjetorit të zhvillimit të programit “Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike” si dhe njëkohësisht të dorëzimit të diplomave brezit të ri, i cili përfundoi studimet në Akademinë e Studimeve Politike.
Me këtë rast, në prani të Zëvendëskryeministres Senida Mesi, ish-Presidentëve Meidani dhe Moisiu, Kreut të Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Claus Neukirch, Ambasadorit zviceran, Christoph Graf, Drejtorit Ekzekutiv të kësaj Akademie Erion Tase, pedagogëve, lektorëve, studentëve, ish-të diplomuarve dhe të ftuarve të tjerë, Presidenti Meta pasi bëri një përshkrim të shkurtër të karrierës së vet politike që nga fillimet si student i Dhjetorit ’90-të e deri në zgjedhjen si Presidenti, theksoi se pas 24 korrikut 2017, partia e tij e vetme është Kushtetuta e Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij Presidenti Meta shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë ceremoni, duke vënë në dukje se: “Dëshiroj t’ju uroj 10-vjetorin e themelimit të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike. Fakti që kjo shkollë ka një alumni prej 290 pjesëmarrësish, ndër të cilët edhe drejtues të lartë të qeverisjes në nivel qëndror dhe vendor, aktivistë dhe opinionbërës të njohur, është dëshmi e suksesit modest, por të sigurt që ka arritur të korrë në këto 10 vite të veprimit të saj.”
Presidenti Meta shprehu mirënjohjen ndaj: “Mbështetjes së Këshillit të Evropës dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim për nxitjen e angazhimit të të rinjve në jetën politike të vendit, dhe në tërësi në proceset demokratizuese dhe zhvillimore.”, e cila meriton një vlerësim të posaçëm.
“Duke qenë në vigjilje të Ditës Kombëtare të Rinisë, 8 Dhjetorit, që hapi siparin e ndryshimeve epokale në Shqipërinë e fillim viteve ’90-të, nuk mund veçse të theksoj rëndësinë madhore që ka investimi për kualifikim e të rinjve dhe rritjen e kapaciteve të tyre, si një aset që duhet të investohet në dobi të të ardhmes së vendit. E përshëndes përzemërsisht veprimtarinë e Shkollës së Studimeve Politike, si një mundësi shumë e mirë që u ofrohet të rinjve shqiptarë të spikatin në individualitetin e tyre, si drejtues të të ardhmes dhe për të marrë më shumë përgjegjësi.” – u shpreh Presidenti Meta.
“Edukimi nuk duhet parë thjesht si një proces mekanik nxënieje. Unë e konsideroj atë si një mundësi të artë për ndezjen e shkëndijave, të mendimit, të guximit, të veprimit dhe të kreativitetit. Shoh që kjo Shkollë ka ndezur disa shkëndija, dhe shpresoj shumë të tjera në të ardhmen. Martin Luter Kingu do të konstatonte me të drejtë se, çdo shoqëri, ka mbrojtësit e statuskuosë dhe vëllazëritë e indiferentëve të cilët, fatkeqësisht, flenë në periudhat e ndryshimeve të mëdha shoqërore. Por ndryshimet e mëdha varen nga aftësia e shoqërisë, dhe veçanërisht e të rinjve, për të ndenjur zgjuar dhe vigjilentë.
Veprimi ka rreziqet dhe koston e vetë, por mosveprimi dhe braktisja ka pasoja fatale për të ardhmen e vendit.” – theksoi Presidenti i Republikës.
“Mesazhi im për ju sot është që me vullnet e vendosmëri, duke përdorur dijen dhe talentin tuaj, jepuni jetë ideve të reja, sillni në Shqipëri ndryshimin përmes veprimit, dhe më e rëndësishmja merrni përgjegjësi për të ardhmen e vendit dhe të vetes suaj!
Meqenëse sot jemi në Ditën e Vullnetarizmit do t’ju ftoja të gjithëve duke filluar nga unë e të gjithë të tjerët të parët: Sa më pak egoizëm, dhe sa më shumë vullnetarizëm e solidaritet! Sepse nëse doni që bota të lëvizë dhe ju jeni të rinj edhe e doni këtë, duhet të lëvizni vetë të parët.
Aq më tepër të bashkuar do ta fitoni të ardhmen që ëndërroni dhe që meritoni. Dhe të mos harrojmë traditën, kur të jeni në stres, mos t’ju shkojë mendja të largoheni nga vendi, por kujtoni vargjet e Migjenit: ‘Qeshu rini, qeshu! Bota është e jotja!’
Duke ju uruar edhe një herë për 10-vjetorin e Shkollës, dhe të diplomuarve të këtij viti akademik suksese të mëtejshme, dhe shpresoj që ju dhe të tjerë të rinj pas jush, të bëhen protagonistë të ndërtimit të një Shqipërie që meriton një të ardhme të plotë dhe të sigurt evropiane, përmes një dialogu më të arsyeshëm e të dobishëm, dhe përmes një bashkëpunimi më efikas. Dhe mendoj se edhe nga vetë përbërja e pjesëmarrësve dhe tradita e kësaj akademie, një nga vlerat kryesore të saj është që zhvillon bashkëjetesën politike, tolerancën dhe ndihmon krijimin e një kulture të re, e cila është aq e domosdoshme për një stad të ri të demokracisë në vendin tonë.” – nënvizoi gjatë përshëndetjes së Tij Presidenti Meta.
(BalkanWeb)