TIRANË- Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka reaguar pas intervistës së Presidentit të Zgjedhur Ilir Meta për televizionin grek “Star”, ku deklaronte se me vendet fqinje do kishte marrëdhënie të ngushta dhe jetike.

Ministri Bushati e quan intervistën e Metës suerreale. Ai madje thotë se partnerët e sigurt shihen në sy dhe flasin troç; tregtarët e flamujve e shesin miqësinë e vërtetë për një pjatë thjerrëza.

“Kjo fushatë, që është me e qeta dhe me e papolarizuara në historinë e pluralizmit, falë marrëveshjes politike të ofruar nga Partia Socialiste për opozitën, po kthehet dita-ditës në një fushatë të Presidentit të zgjedhur të Republikës, kundër qeverisë dhe opozitës, si të përfaqësonte një lëvizje shtet-shthurëse.
Linja jonë ka qenë mospërfshirja në sherrin e stisur. Vetë Kryeministri ka zgjedhur linjën e mosshpërqëndrimit nga mesazhi ynë për drejtësinë, ekonominë, punësimin dhe reformat shtetbërëse. Megjithatë e kam të pamundur të mos shprehem për intervistën surreale të Presidentit të zgjedhur me votat tona, për një media të huaj.
Partnerët e sigurt shihen në sy dhe flasin troç; tregtarët e flamujve e shesin miqësinë e vërtetë për një pjatë thjerrëza. Në fund hesapi është i qartë dhe çdo partner brenda dhe jashtë mund t’i bjerë lapsit: qartësi strategjike për një bashkëpunim jetik mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit. Lajkat dhe përkëdheljet sterile i takojnë një politike të vjetër”, shkruan Bushati.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: