Nga Lezha ku ndodhet pas incidentit të sotëm në Shëngjin që çoi në plagosjen e një simpatizanti të LSI-së, Presidenti i zgjedhur Ilir Meta ka zhvilluar një bisedë telefonike me News24 ku ka folur për ngjarjen dhe ka akuzuar kryeministrin Edi Rama.

Ai foli edhe për reagimin e PS-së duke thënë se nuk ka akuzuar socialistët por bandat e Rilindjes. Meta tha se si është e mundur që dy persona në kërkim dalin në mes të ditës dhe qëllojnë me armë.

“Nuk e kuptoj pse ka reaguar PS. Unë nuk kam folur për PS unë kam folur për bandat e rilindjes që janë të njohura jo vetëm në Lezhë por në të gjithë Shqipërinë që e kthyen Lezhën në Siçili të dikurshme. Ju e dini që kam qenë i detyruar të shkoj në Lezhë dhe para pak ditësh. Ajo që ka ndodhur sot tepër e rëndë. Agresioni nga dy persona në kërkim me mbiemër Ndoka. Tre persona me armë, 100 m larg një QV dhe kanë sulmuar zotin Florian Dushku dhe e kanë qëlluar 2 herë me armë. Janë persona në kërkim, që bëjnë drogën në Lezhë dhe kanë marrë detyrë nga shefi i Rilindjes se do dhunojnë qytetarët shqiptarë”, tha Meta.

Sipas tij, rilindja është tmerruar nga verdikti që Shqipëria do japë kundër bandave. “Ne kemi kallëzuar në prokurori, kemi bërë të gjitha veprimet. Policia thotë është gjetur një gëzhojë ndërkohë që janë dy. Është e gjithë platforma e dhunës së tij e faktuar. Edhe në Lezhë, edhe në Pukë edhe në Berat janë bandat që futi në parlament dhe në këmbim iu kërkon të dhunojë votën e qytetarëve shqiptarë. Si mund të dalin 3 persona, 2 prej tyre në kërkim në mes të ditës dhe të qëllojnë me armë. Kjo nuk është hera e parë që po ndodh në Lezhë. Ka ndodhur në mënyrë të përsëritur. Rilindja është në grahmat e fundit”. Në qoftë se ndodh ndonjë gjë përgjegjësinë e kanë të dy bashkë se janë vënë në krye të një skenari”, tha Meta.

Ai theksoi edhe njëherë thirrjen e tij për lezhjanët.
“Iu bëj thirrje të gjithë lezhjanëve të dalin dhe të ndëshkojnë bandat me votën e tyre. Unë jam këtu për të mbrojtur dinjitetin e qytetarëve. Kjo ka përfunduar. Për të gjitha këto, për emrat, për çfarë ka ndodhur në Shëngjin ka prova, ka dëshmitarë”, u shpreh Meta.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: