TIRANË- Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka përshëndetur zhbllokimin e vettingut nga parlamenti ditën e djeshme dhe ka folur për situatën në vend duke inkurajuar palët të vijojnë dialogun.
Por ai ka komentuar edhe marrëveshjen Rama-Basha.

I pyetur nëse ndihet përgjegjës që e çoi Ramën në krahët e Lulzim Bashës, Meta tha: “Nuk mendoj se si thatë ju, vajtja e zoti Rama në krahët e zotit Basha është diçka kaq e sforcuar. Është një gjë interesante dhe pozitive, dhe LSI ka luftuar që ata të dy si përfaqësues të dy forcave politike kryesore, që kishin edhe përgjegjësi për konfliktin, të gjenin dialogun”.

Ai u shpreh më tej se vendi tashmë mund të shkojë i qetë drejt zgjedhjeve dhe këto mesazhe nga politika do t’i shërbejnë edhe hapjes së negociatave.

“Dua të shpreh kënaqësinë pas seancës së djeshme që më në fund jo vetëm vendi mund të shkojë tërësisht i qetë dhe në atmosferë demokratike drejt zgjedhjeve të 25 qershorit por edhe që është zhbllokuar zbatimi i reformës në drejtësi, që është një moment mjaft pozitiv. Pra të dyja këto mesazhe do t’i shërbejnë së tepërmi një atmosfere edhe më shpresë plotë për stabilitetin e vendi por edhe për çeljen e negociatave në një të afërt sa më të shpejtë. Vlerësoj angazhimin e faktorëve që kontribuuan për këtë moment të ri. I ftoj të gjithë të vazhdojnë në këtë mënyrë konstruktive për të realizuar zgjedhje transparente”, deklaroi Meta.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: