TIRANE-Eurodeputeti Eduard Kukan ka komentuar sot situatën politikë në vend, ndërsa u ndal dhe tek oferta që i ka bërë kreu i qeverisë, Edi Rama, kryeopozitarit Lulzim Basha për të marr♪7 pjesë në zgjedhet e 18 qershorit. Ai vlerësoi propozimet e Ramës, duke i quajtur “lëshime serioze ndaj opozitës”.

Ndjekës-raportues për Shqipërinë në PPE, në një intervistë dhënë gazetares së RTSH Arta Tozaj tha se: “Shpreh besimin se presidenti i sapozgjedhur Ilir Meta do të sillet si një president pro-europian. “Do të kishte qenë mirë sikur të ishte zgjedhur me pjesëmarrjen e opozitës në parlament, por nuk ishte. E njoh zotin Meta, prej vitesh dhe kam shpresë vërtet se ai do të sillet si një president pro-europian, si një president që do të ketë në mendje një të ardhme të mirë të Shqipërisë në BE” -tha Kukan.

Ai theksoi ndër të tjera se ndërkombëtarët nuk heqin dorë nga dialogu me opozitën. “Po përpiqemi t’i mbushim mendjen kryetarit të partisë Demokratike se vetëm me dialog e tryeza bisedimesh, mund të arrihen zgjidhjet politike. E nuk heqim dorë nga kjo”, pohoi Kukan.

Sipas tij, çdo bojkot i zgjedhjeve dhe çdo bojkot i parlamentit, nuk është standard europian. Fillimisht zoti Kukan flet për situatën politike në Shqipëri. “Jam i shqetësuar për situatën në Shqipëri, sepse zgjedhjet po vijnë, koha fluturon dhe ne ende nuk kemi kushte të vendosura politike për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike. Për mënyrën sesi shkuan negociatat, ato nuk sollën ndonjë rezultat, edhe pse pati shumë misione, shumë thirrje, diskutime, por sërish nuk ka asnjë marrëveshje.
Nga qëndrimet e kryeministrit dhe të liderit të opozitës, kuptoj se takimi nuk ishte i suksesshëm e ne dëshirojmë të shohim se Shqipëria ecën përpara pas zgjedhjeve. Kështu që, çdo bojkot i zgjedhjeve, çdo bojkot i parlamentit, nuk është standard europian! Prandaj, ne po mundohemi t’i mbushim mendjen partnerëve tanë, Lulzim Basha dhe partinë e tij, se është e domosdoshme për t’u angazhuar në dialog politik, për zgjidhje politike dhe ne ende nuk heqim dorë nga kjo. E di se është kohë e shkurtër dhe qëndrimet e palëve janë shumë larg, por ne do të vijojmë të dërgojmë të tilla mesazhe në mënyrë që të ketë zgjedhje demokratike e të lira, me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike, sigurisht, sepse pa pjesëmarrjen e të gjithave, dëmtohet vendi, lëndohen të gjithë. Ne, më të vjetrit që jemi marrë në këtë punë me Shqipërinë, e dimë tepër mirë se është humbur shumë kohë për shkak të “kokëfortësisë politike” të elitës politike. Kjo duhet lënë mënjanë me të vërtetë dhe ata, të gjithë, duhet të sillen me përgjegjshmëri për vendin e tyre.”, nënvizoi Kukan.

I shqetësuar, ndjekës-raportuesi për Shqipërinë në PPE, Eduard Kukan, refuzon të spekullojë se çfarë do të ndodhë me PD, në rast se nuk merr pjesë në zgjedhje, ndërkohë që vlerëson ofertën e kryeministrit Rama në tryezë. “Mendoj se ato ishin lëshime serioze ndaj opozitës dhe unë do të kisha dashur që zoti Basha të thoshte se ai donte qeveri teknike e votim elektronik, por dhe se, nëse kishte mundësi të tjera për ta bindur atë se gjithçka do të jetë në rregull, nën kontroll, ai do të kishte qenë i gatshëm për ta marrë në konsideratë atë” tha zoti Kukan.

“Përderisa zoti Hahn u përfshi gjithashtu në këto bisedime, ju, z. McAllister sëfundmi, z. Daul telefonon prej një jave e zonja Merkel këshilloi po ashtu në Valeta Z. Basha e z. Gruevski, a nuk keni përshtypjen se anëtari i familjes suaj në Shqipëri nuk po dëgjon asnjërin prej jush?” ishte pyetja e RTSH për zotin Kukan.

“Ne e kuptojmë pozicionin e zotit Basha përsa i takon çështjeve në vend që kërkojnë një qasje më radikale, siç përmenda korrupsioni, trafiku i drogës e me radhë, por mbi pjesëmarrjen në zgjedhje, ne jemi shumë …, kjo është çështje e panegocieshme” tha ai. “Standardi europian është që lufta politike të kryhet brenda parlamentit e në zgjedhje dhe ne ende nuk kemi rezultat përfundimtar e refuzoj të komentoj mbi të. Ne ende po përpiqemi të bindim partnerët tanë se është edhe në interes të tyre, por më së shumti në interes të Shqipërisë, që ata të marrin pjesë në zgjedhje” tha zoti Kukan.

“Në të kundërt? A ka ndonjë “thupër?” ishte pyetja e RTSH. “Në të kundërt do shohim se çfarë do të ndodhë. Unë refuzoj të spekulloj tani. Është shumë sensitive. Ne mund të vazhdojmë të shtyjmë, të këmbëngulim, t’i mbushim mendjen e t’i bindim për zgjedhje normale në Shqipëri. Asgjë më shumë. Gjithsecili në partinë tonë është përfshirë, deri në nivelin më të lartë. Pra, ne po bëjmë vërtet gjithçka” tha eurodeputeti Eduard Kuka. “Po ju them se ne nuk heqim dorë e po bëjmë gjithçka për të patur zgjedhje normale në Shqipëri. Ne po e marrim shumë seriozisht të ardhmen e Shqipërisë, rolin e partisë sonë simotër dhe për këtë arsye, ne nuk po heqim dorë e do ta vazhdojmë këtë presion me qëllim që të sigurohen zgjedhjet e lira në Shqipëri” tha zoti Kukan.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: