TIRANE- “Presidenti do të zgjidhet në këtë legjislaturë, dhe nuk ka arsye pse kjo të mos realizohet”. Këtë e ka shprehur mbrëmjen e sotme kreu i Kuvendit, Ilir Meta para gazetarëve, në përfundim të takimit të thirrur prej tij me përfaqësues të partive parlamentare.

Meta ritheksoi faktin se Presidenti duhet të jetë konsensual, dhe për këtë i kërkoi opozitës që të sjellë emrat e saj.

“Për çështjen e Presidentit, ju e dini që qëndrimi im ka qenë i hapur dhe konstruktiv. Unë kam qenë ndër nxitësit kryesore. Edhe pse kemi një shumicë të padiskutueshme, synojmë që Presidenti të jetë sa më konsensual. Kërkojmë konsensusin e opozitës, dhe kandidatë prej saj, në mënyrë që ne të jemi sa më të bashkuar. Ne nuk duam të bëjmë asnjë veprim pa opozitën. Po të ishte se do donim të bënim veprime të tilla i kishim bërë me kohë, kishim zgjedhur Presidentin, apo kishim bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor”, tha Meta.

Ndonëse nesër zhvillohet raundi i tretë për Kreun e ri të Shtetit, ende nuk ka një emër konkret, por Meta thotë se dialogu për këtë çështje mund të vendoset edhe sot në mbrëmje apo nesër në mëngjes.

“Dialogu mund të vendoset sot në mbrëmje ose nesër në mëngjes. Jemi duke pritur opozitën. I janë bërë disa oferta PD, për të cilat unë njoftova edhe përfaqësuesit e partive parlamentare që morën pjesë në takim. Edhe PD duhet të tregojë vullnet dhe të përfshihet në këtë proces. Qeveria teknike nuk është diçka që mund të përcaktohet në mënyrë të njëanshme. Nëse çdo përpjekje personalizohet thjesht tek një individ apo disa individë, atëherë humbasim fokusin nga standardet që ka Shqipëria, dhe nuk ndihmojmë zgjidhjen e situatës”, u shpreh Meta.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb