BERAT– Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi mbrëmjen e sotme takimin përmbyllës në qytetin e Beratit, në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.

Duke marrë fjalën në miting, ish-kryetari i LSI-së, Ilir Meta u shpreh optimist për fitore, pasi LSI tha ai, është partia e rinisë së Shqipërisë. “Ne do të marrim pesë deputetë në Berat, ndërsa “Tomit dhe Xherrit”(nenkupto Rama-Basha) do ju lëmë nga një deputet, ‘sa për shenjë’”.

Ish-kreu i LSI-se në fjalën e tij ftoi të gjithë socialistët që ne “4 vjet u injoruan dhe u poshtëruan nga Rilindja”, të votojnë LSI-në, sepse kështu votojnë për bashkimin e së majtës. Kreu i Rilindjes, tha ai, në katër vjet jo vetëm nuk u kujdes për Shqipërinë, por u ktheu kurrizin socialistëve sapo mori votat, dhe u vu në shërbim të 5-6 oligarkëve.

Ilir Meta u shpreh optimist se populli i Beratit do të votojë të dielën alternativën e LSI-së për hapjen e 170 mijë vendeve të reja pune.

Taksat tuaja nuk do të bëhen rrush e palma, por do të shkojnë në sektorët më prioritarë që gjenerojnë hapje të vendeve të reja të punës dhe rritje të prodhimit kombëtar, të ekonomisë kombëtare dhe familjare, u shpreh ai.

Gjatë 4 viteve, ne pamë jo si bëhet shteti, por si bëhet qameti, se si përdoret policia dhe dhuna ndaj të vobektëve që nuk kanë paguar drita.

Por, nga ana tjetër shtoi Meta, pamë dhe se si bëhen aktet ligjore e nënligjore që oligarkët të fshijnë malin e borxheve që kanë ndaj OSHEE-së dhe Tatimeve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: