Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë, u takua sot edhe me Kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev.
Meta e uroi Kryeministrin Zaev për rezultatet pozitive të dy proceseve zgjedhore në Maqedoni, si dhe përshëndeti angazhimet konkrete të qeverisë së re për përmirësimin e klimës dhe marrëdhënieve ndër-etnike, por edhe të krijimit të një marrëdhënie sa më pozitive me vendet fqinje.
“Marrëdhëniet e mira ndër-etnike në Maqedoni janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për stabilitetin e Maqedonisë por edhe për stabilitetin e të gjithë rajonit”, u shpreh Presidenti Meta.
Edhe në takimin me Kryeministrin Zaev, Presidenti Meta theksoi se marrëdhëniet e Shqipërisë me Maqedoninë janë ekzistenciale dhe vendimtare për të ardhmen euroatlantike të të dy vendeve.
“Së bashku mund t’i rezistojmë e të përballojmë me sukses të gjitha sfidat e globalizmit me të cilat përballet rajoni ynë”, – u shpreh Presidenti Meta.
Presidenti Meta shprehu besimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE gjatë vitit 2018, si dhe e siguroi Kryeministrin Zaev mbi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO.
Presidenti Meta dhe Kryeministri Zaev ndanë të njëjtin mendim lidhur me domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar, si dhe përmirësimin e lidhjeve energjetike dhe infrastrukturore, ku padyshim zbatimi i projekteve të përbashkëta në kuadrin e Korridorit 8 është shumë i rëndësishëm.
Në këtë kuadër Presidenti Meta theksoi se me investime jo të jashtëzakonshme mund të arrijmë rezultate të jashtëzakonshme.
Ata shprehën besimin se në takimin e ardhshëm mes dy qeverive, në Pogradec do adresohen të gjitha këto çështje që lidhen me nxitjen dhe zhvillimin e gjithëanshëm mes dy vendeve.
(m.k/BalkanWeb)