TIRANE- Situatën shqetësuese të krijuar nga zjarret në vend, ministri i Brendshëm Dritan Demiraj ia ka bërë të ditur edhe kreut të shtetit, Ilir Metës.

Mësohet se ata të dy janë takuar mesditën e sotme në ambientet e Presidencës pikërisht për të diskutuar në lidhje me këtë situatë.

Presidenti Meta u interesua për masat e marra nga strukturat e shtetit, nga shërbimet e emergjencave dhe ato zjarrfikëse si dhe autoritetet vendore, të përfshira në përpjekjet për përballimin e kësaj gjendjeje të vështirë.

Presidenti Meta u interesua dhe u njoh në detaje mbi gjendjen aktuale në qarqet e prekura nga përhapja masive e zjarreve, në veçanti për jetën e banorëve të zonave të rrezikuara, masat e marra për kontrollin dhe eliminimin e rrezikut si dhe problematika të tjera të lidhura me to.

Ai vlerësoi maksimalisht dhe inkurajoi punën e admirueshme dhe sakrificat vetëmohuese të forcave zjarrfikëse, të personelit të Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Brendshme, njësive të emergjencës, si dhe drejtuesve të pushtetit vendor për të neutralizuar zjarret e për t’iu ndodhur pranë qytetarëve të prekur nga këto vatra zjarri.

Kreu i Shtetit shqiptar përgëzon të gjithë ata të cilët, pavarësisht nga vështirësitë dhe rrethanat e jashtëzakonshme, kanë bërë gjithçka në mbrojtje të jetës së banorëve të rrezikuar dhe përballimit të situatës me sa më pak dëme materiale, apelon për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe të natyrës, duke u bërë thirrje të gjitha autoriteteve që të marrin masa drastike në përputhje me ligjin për parandalimin e zjarrvënieve të qëllimshme.

Presidenti i Republikës u bën thirrje dhe nxit institucionalisht të gjithë autoritetet qendrore e vendore të vazhdojnë përpjekjet dhe komunikimin intensiv mes tyre, për koordinimin në kohë dhe me efektshmërinë e duhur të marrjes së masave të emergjencës, për t’u ardhur në ndihmë zonave dhe qytetarëve të prekur nga zjarret, duke vlerësuar njëkohësisht e shprehur mirënjohjen për ndihmesën, gatishmërinë dhe solidaritetin e vendeve fqinje dhe partnerëve ndërkombëtare.

Ministrin Demiraj e kemi parë tepër të angazhuar në terren, me inspektime e monitorime, ndërsa dje ai u angazhua personalisht në aksionin për shuarjen e zjarrit në Krastë të Elbasanit.

Po dje, edhe shteti fqinjë Greqia iu përgjigj thirrjes për ndihmë të autoriteteve shqiptare, duke dërguar dy avionë zjarrfikës.

Kujtojmë se deri në orën 09:00 të mëngjesit të sotëm, flitet për 15 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Vlorë, Dibër, Elbasan, Shkodër, Fier, Berat, Lezhë.

Për shuarjen e tyre janë angazhuar 24 makina zjarrfikëse, 109 forca zjarrfikëse, 20 punonjës të Gardës, 90 forca ushtarake, 11 forca pyjore dhe helikopterë.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb