TIRANE- Presidenti Ilir Meta teksa ishte i ftuar në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në ‘News24’ ndau me publikun disa mendime që ka për kryeministrin Edi Rama dhe liderin e PD-së, Luzlim Basha.

Meta la të nënkuptuar faktin se ata të dy nuk janë trima, por ajo çka i bashkon sipas tij është fakti se ata vuajnë nga kompleksi i inferioritetit.

“Unë e di se sa trima janë ata. Dhe ata kanë dy probleme, që janë edhe delirantë, por kanë edhe kompleksin e inferioritetit në të njëjtën kohë, kjo i bashkon të dy.
Por ata duhet ta kenë të qartë se ata kanë punën e tyre, kanë çështjet e tyre, zgjedhjet janë pronë e qytetarëve shqiptarë, nuk duhet të guxojnë të prekin zgjedhjet, duhet t’u japin fund shantazheve dhe presioneve të shëmtuara që po bëjnë në administratë dhe kudo, duhet ta dinë se LSI-ja është parti e të rinjve të Shqipërisë dhe nga të rinjtë e Shqipërisë do ta marrin goditjen kryesore që të dy, sepse të gjithë e dinë se çfarë vendi real i kanë dhënë rinisë ata kudo dhe njëkohësisht duhet të bëhen gati për 26 qershorin”, tha Meta.

PJESË NGA INTERVISTA

Vetëm do të doja t’iu thoshit njerëzve, se përse ju do të jeni parti e madhe, jo thjesht…

Sepse kemi kauza të mëdha.

…jo vetëm deklarata, por pse nuk do të jenë ato dy të tjerat parti të mëdha?

Nuk ka se si të jenë, sepse janë kundër interesit publik, janë kundër zgjedhjeve të lira, janë kundër transparencës.

Ore, si do të bëhet “republika e re”, kur ai tjetri… Doktori e krijoi atë parti dhe në fund fare e bënte listën si të donte. E bënte, por të paktën e bënte në kryesi. Ky e mori dhuratë partinë. Shkon dhe e çon listën fshehurazi në KQZ. Apo jo? Pastaj vjen e thotë “do t’i shkarkojë populli deputetët në të ardhmen”. Kur do t’i shkarkojë?

Populli i ka hequr fare ata, dhe ata, për të mos ngritur zërin nesër. Nejse, kjo është temë tjetër. Zoti Meta, për të qenë të hapur, të ndershëm, të qartë duhet të themi që ju e keni qeverisur…

Ore, m’i sill këtu mua, ata të dy, dhe ta sqarojmë klientelizmin! Kur të duan le të vijnë të dy bashkë. Të vijnë të dy bashkë këtu!

Ç’janë këta demokratë që do të shpëtojnë Shqipërinë dhe nuk dalin në një debat?! Apo jo? Kanë rënë dakord. Ky e fton për debat, ai nuk i del. I thotë Petrit Vasili: “Hajde dalim bashkë, meqenëse më përmende emrin dhe më akuzuat pa të drejtë”.

Midis Romeos dhe Zhuljetës është dikush, po nuk është në tryezë, nuk është në skenë.

Dakord. Ore, si mund të votojë ky popull për njerëz që nuk dalin në debat?! Si mundet të votosh?! Apo jo? Çfarë transparence, çfarë demokracie…?

I ke parë debatet e Edi Ramës? Bën spektakël… I nxjerr njerëzit në rrugë, merr gazetarët dhe u thotë “hajdeni”. Kalojnë njerëz aty… Ndez dritat, ndez gjithandej drita. Ndriçime të mëdha, të papara. I pe ndriçimet?

Po dje që nuk kishte drita në Tiranë?

Unë nuk kisha drita. Linjën e morën dhe e vunë aty që të…

Për efekte drejt sheshit.

Unë i kam parë vetëm në Kinë ato. Për shembull, në Shangai gjen shumë lagje të bukura. Ditën shkoja t’i shihja, por nuk ishin më. Ishin vetëm për shkak të ndriçimit. Të nesërmen befasohesha, binte dielli dhe ato nuk ishin më. Tani, për të qenë të vërtetë, ju keni qeverisur 8 vjet me Saliun, a keni përgjegjësi ju në këto 8 vjet qeverisje?

Po, ne kemi përgjegjësi për atë rol që kemi pasur në qeveri, por nuk e kemi pasur ne drejtimin e qeverisë. Drejtimin e qeverisë e ka pasur Sali Berisha, edhe politikën e taksave, edhe politikën e sigurisë kombëtare, të luftës kundër krimit, kundër korrupsionit, e kështu me radhë. Për këto e ka pasur edhe Edi Rama.

Ne kemi qenë si garanci për stabilitetin, për funksionimin e qeverisë, për reformat e integrimit, e kështu me radhë.

Po të thuash që e ka fajin Panariti pse Edi Rama i ka dhënë bujqësisë 5 herë më pak se në Kosovë dhe 10 herë më pak se në Maqedoni, kjo është një gjë që vetëm ai mund ta marrë përsipër! Edhe Luli mund ta marrë përsipër. Kuptohet, pas atyre që i çon Endri Fuga.

Gjithsesi ju keni përgjegjësi…

Përgjegjësi kemi. Gjërat i kemi ngritur. Kemi qenë garantë për stabilitetin dhe funksionimin. Kemi bërë vërejtjet dhe kritikat tona. Kemi dhënë mbështetjen tonë për të gjitha reformat që i kanë shërbyer vendit.

Një gjë mund ta themi me siguri të plotë, që ndryshe nga PD-ja, ndryshe nga PS-ja, LSI-ja që nga krijimi i saj ka qenë vetëm faktor stabiliteti, e para.

E dyta, ka qenë një parti që gjithmonë ka ndihmuar proceset e integrimit europian. Kurse PD-ja dhe PS-ja në momente të caktuara, sidomos kur kanë qenë në opozitë, për shkak të agjendave të tyre të ngushta partiake, kanë bllokuar proceset, siç i bllokoi PS-ja në vitin 2008-2009 për marrjen e statusit të vendit kandidat me 3 ligjet e famshme, nëse e mban mend. Ashtu filluan edhe këta pastaj, me reformën në drejtësi, me historitë mbas çadrës, e kështu me radhë.

Duket sikur bisedojnë natën, “shushunja” thonë të dy. “Do të shkarkohet policia, sapo të bëhen votat e të gjithë…” Z. Meta, një agresion fare i hapur.

Nuk u shkarkua një polic kur ranë ata avionët me drogë në Ishëm, as kur ranë avionët me drogë në Divjakë. Një drejtues nuk u shkarkua. Përkundrazi, “ishte policia më e mirë në botë”, deri sa antimafia e Italisë, Departamenti i Shtetit dhe të gjithë, vunë alarmin për përmasat e frikshme të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës në Shqipëri, ku vetëm LSI-ja nuk ka asnjë lloj përgjegjësie…

Ah, po, ka një lloj përgjegjësie, që i ka nxehur këta: që e ka denoncuar me kohë, më parë, këtë fenomen dhe ka kërkuar të merren masa dhe të mos fshihet kjo gjë.

Së dyti, nuk ka asnjë përgjegjësi LSI-ja për futjen e njerëzve me rekorde kriminale në parlament dhe në krye të disa bashkive të vendit. Përgjegjësinë e kanë këta, që nga njëra anë flisnin për Veting-un, për gjyqtarë dhe prokurorë, dhe nga ana tjetër sollën dëme të jashtëzakonshme në përfaqësimin e qytetarëve, si në parlament, në pushtetin vendor dhe kudo tjetër.

Për sa u takon këtyre të tjerave, drejtorin e Hipotekës së Tiranë ky e ka pasur, edhe atë të patentave të Tiranës, edhe të Postës së Tiranës…

Të gjithë e dinë që për të marrë qoftë edhe një vërtetim në Hipotekën e Tiranës duhet të merrje letër në Kryeministri. Kjo hipokrizi do të ndëshkohet në mënyrën më të pamëshirshme nga të gjithë shqiptarët dhe në radhë të parë nga vetë socialistët.

E ka të kotë ky që përpiqet të ndërsejë socialistët kundër Lëvizjes Socialiste për Integrim! Socialistëve ky u ka vënë kazmën me mosmirënjohjen e Rilindjes së tij dhe me promovimin e grerëzave të Rilindjes, kudo.

Ky imoralitet do të ndëshkohet në mënyrë më shembullore dhe nuk ka polici droge që të do të cenojë vullnetin e qytetarëve shqiptarë, sepse marrëveshja kjo ka qenë, që ky të merrte OSHEE-në, ALUIZNI-n e të tjera dhe ai të vazhdonte të kishte linjat e veta të policisë, që bëri drogën në Shqipëri për të manipuluar zgjedhjet.

Vetëm se pa një garanci absolute me njëri-tjetrin …

Të kenë garanci, por ata dy vota kanë…

  1. Rama nuk është nga ata trima që e lëshon fjalën kështu siç e lëshon…

Unë e di se sa trima janë ata. Dhe ata kanë dy probleme, që janë edhe delirantë, por kanë edhe kompleksin e inferioritetit në të njëjtën kohë, kjo i bashkon të dy.

Por ata duhet ta kenë të qartë se ata kanë punën e tyre, kanë çështjet e tyre, zgjedhjet janë pronë e qytetarëve shqiptarë, nuk duhet të guxojnë të prekin zgjedhjet, duhet t’u japin fund shantazheve dhe presioneve të shëmtuara që po bëjnë në administratë dhe kudo, duhet ta dinë se LSI-ja është parti e të rinjve të Shqipërisë dhe nga të rinjtë e Shqipërisë do ta marrin goditjen kryesore që të dy, sepse të gjithë e dinë se çfarë vendi real i kanë dhënë rinisë ata kudo dhe njëkohësisht duhet të bëhen gati për 26 qershorin.

Qeverisja dy vjetët e fundit ka mbetur në klasë, thoni ju. Pse? Për mua ka mbetur në klasë në të gjitha vitet…

Jo. Unë kam këtë vlerësim, se qeveria në dy vjetët e para pati një nisje pozitive, pati qëllime pozitive, pati reforma pozitive, pavarësisht nga ekzagjerimet apo nga ngjyrat apo ekzaltimet e caktuara, por u bënë disa gjëra pozitive dhe kjo nuk ishte rastësi, sepse funksionoi në një mënyrë bashkëpunuese dhe kolegjiale, edhe vetë qeveria, edhe koalicioni, deri në zgjedhjet vendore. Është e njëjta histori si në periudhën 2005-2007, koalicioni PS-LSI. Humbi Nano, mori partinë Rama dhe tha se fajin e kishte Nano se përjashtoi LSI-në dhe ky do të bënte bashkëpunim afatgjatë me LSI-në.

Në fakt, bashkëpunim e kishte në vitin 2007 derisa të merrte Bashkinë e Tiranës, siç e mori atëherë kur konkurronte me Olldashin. Pastaj, menjëherë, në vitin 2008 vajti bëri koalicion me Berishën për të zhdukur LSI-në dhe të gjithë partitë e tjera.

E njëjta gjë përsëri funksionoi në këtë rast. Ky, dy vjetët e para punoi në mënyrë bashkëpunuese dhe s’kishte si të bënte edhe gabime të mëdha. I qëndroi deri diku edhe marrëveshjes, me qëllim që të merrte të gjitha bashkitë e mëdha, falë koalicionit me LSI-në, siç edhe ndodhi, ndërkohë që dihet se ç’ndodhi në disa bashki ku kandidonte LSI-ja, si në Lezhë, në Pogradec, në Mallakastër e kështu me radhë, ku ata i minuan kandidatët e LSI-së. Pas kësaj, qëllim i tij ishte, pasi mori bashkitë kryesore Tiranën, Durrësin, Elbasanin e të tjera, që nuk i merrte kurrë pa LSI-në, si të godiste LSI-në dhe përpjekja e parë ishte përmes inskenimit të kësaj çështjes gjoja CEZ-DIA, ku përsëri u përdor Lulzim Basha dhe PD-ja për të filluar t’u bëjë jehonë shpifjeve dhe akuzave të sajuara prej tyre dhe më pas kemi të gjithë zhvillimet, të cilat kanë qenë të tensionuara.

Në asnjë bashki nuk u respektuan marrëveshjet nga kryetarët e bashkive të PS-së, përveç Tiranës dhe ndoshta ndonjë bashkie tjetër, për të qenë korrektë dhe orientimi ka qenë gjithmonë për të goditur LSI-në sepse ata panë që LSI-ja pati një rritje shumë të madhe, sidomos në qytetet kryesore të Shqipërisë dhe kjo rritje erdhi prej të rinjve dhe të rejave. 95% të punësimeve në administratë i ka bërë Edi Rama, edhe drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike është një zonjë që i takon Rilindjes së bashkisë, nuk është se ka ndonjë pavarësi apo të thuash se po bën ndonjë çudi me reformën dhe gjithçka tjetër tani bëhet për të mashtruar socialistët, për t’i kundërvënë ata me LSI-në.

Berati është një nga rastet më ekzemplare ku duhet të them se bashkëpunim PS- LSI ka qenë i shkëlqyer në 4 vjet, asnjëherë asnjë problem, pastaj u spostua Fidel Ylli, erdhi ky djali, Blendi Klosi, me një axhendë tensionimi, agravimi, acarimi në kuadër të gjithë kësaj strategjie për të ushtruar presionin e pushtetit më të madh që ka PS-ja, për të bërë trysni mbi LSI-në, por kjo nuk mund të funksionojë me LSI-në se LSI-ja është një parti e cila kur përpiqesh ta trysnosh e pëson dhe e pëson shumë rëndë, në mënyrë të parikuperueshme.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: