Gentjan Mezani bën skanerin e Flamurtarit që ka drejtuar vetë. Në një intervistë të dhënë dje për “Panorama Sport”, ish-trajneri vlonjat u shpreh se ky Flamurtar që po fiton është ekipi i tij. Mezani tha se kuqezinjtë i kanë të gjitha mundësitë që të dalin me pikë nga transferta e Kukësit.

Mezani, si e shikon ecurinë e Flamurtarit deri më tani?
Unë kam qenë i bindur që në momentet e para kur e drejtoja dhe vetë se Flamurtari nuk do të binte nga kategoria, si dhe nuk do të rrezikonte në finish. Është një luftë mes Laçit dhe Tiranës rënia nga kategoria, pasi Korabi ka rënë. Flamurtari, me ecurinë e ndeshjeve të fundit, ka bërë një hap përpara, një hap të qëndrimit në Kategorinë Superiore.

A mendon se ndryshon ky Flamurtar nga ai që drejtonit ju?
Po them që në momentet që shikoj këtë Flamurtar që fiton, më duket si ai Flamurtari që drejtoja unë. Që të jem i sinqertë, nuk shikoj ndonjë ndryshim. Shikoj skuadrën që drejtoja unë.

Të mërkurën luhet me Kukësin, si e shikon ndeshjen?
Ndeshja e radhës është e vështirë pasi fusha e Kukësit favorizon vendasit. Është një ndeshje e vështirë, pasi Kukësi është në luftë për titull dhe do të bëjë të pamundurën për të fituar këtë ndeshje. Por, duke parë ndeshjen e kaluar në Kukës dhe ecurinë në këto momente, besoj se Flamurtari do të marrë një rezultat pozitiv, të paktën një pikë.

Si mund ta marrë rezultatin pozitiv?
Unë mendoj se nëse luan si ndeshjen e kaluar, do të marrë pikë. Pasi në ndeshjen që drejtoja unë, Flamurtari tregoi se mund të merrte barazimin ose fitoren. Humbi, por humbja erdhi nga faktorë të tjerë. Uroj që këta faktorë të mos ndikojnë në këtë ndeshje dhe të jetë një ndeshje e pastër e të fitojë më i miri.

Ju vjen keq që nuk jeni në drejtimin e këtij Flamurtari?
Më vjen keq që nuk jam në drejtimin e Flamurtarit, pasi jam vlonjat dhe është pasioni im futbolli. Dëshira do të ishte e madhe, pasi bashkë me Maganin ne e ndërtuam dhe do të ishte mirë që të ishim në krye të këtij Flamurtari. Por jeta vazhdon dhe ky është profesioni ynë.

Mendoni se drejtuesit u nxituan me largimin tuaj?
Çdo vendim që është marrë mendoj se drejtuesit e kanë marrë për të mirën e punës. Çdo trajner varet nga rezultatet, edhe pse unë besoj se nuk jam larguar për mungesë rezultatesh. Në 14 ndeshje, Flamurtari nën drejtimin tim ka marrë 21 pikë dhe shpresoj që ta kem ndihmuar skuadrën disi për objektivin. Kështu u vendos dhe unë e respektoj, shpresoj që vendimi që është marrë të jetë i duhuri deri në fund për të ardhmen e Flamurtarit. Pra, unë nuk jam larguar për mungesë rezultatesh, pasi kam marrë shumë pikë.

Me çfarë po merreni aktualisht?
Unë kam qenë në një trajnim në Itali në Serinë A në klubet e Lacios dhe Empolit. Eksperiencë e bukur, por që do të më ndihmojnë për të ardhmen, duke qenë në kontakt me risitë.

Mendoni t’i ktheheni trajningut në Superiore?
Shpresoj sa më shpejt, pasi është një punë që e kam pasion dhe sa më shpejt të rifilloj në punën time dhe kampionatin tjetër të jem në një skuadër, e cila do të ketë objektivat e saj.

Ndoshta te Flamurtari…?
Pse jo, edhe te Flamurtari, por varet…/panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: