KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, do të jetë sërish sot nëpër komunat e vendit, në kuadër të iniciativës për të ndalur migrimin masiv të kosovarëve drejt vendeve të BE-së. Deri tani, Jahjaga ka vizituar disa prej qyteteve, ku ka takuar banorë duke ndarë me ta shqetësimet për problemet e përditshme.

Javën e kaluar Presidentja e Kosovës, vizitoi komunën e Ferizajt dhe Vushtrrisë, ndërsa sot presidentja do të vizitojë edhe dy komuna të tjera. Në orën 10:30 Jahjaga, ka paralajmëruar se do të jetë në komunën e Podujevës, ku me këtë rast do të takohet me kryetarin e kësaj komune Agim Veliun.

Ndërsa më vonë për në orën 13:00, ajo, ka paralajmëruar vizitë edhe në komunën e Gjilanit, ku po ashtu do të takohet me kryetarin e kësaj komune.

Jahjaga, javën që shkoi u kërkoi qytetarëve të rajonit të Ferizajt që të mos braktisin vendin, sepse siç tha ajo, migrimi nuk është zgjidhje e duhur. Ajo morri edhe opinionet e qytetarëve lidhur me këtë dukuri që është kthyer në një fenomen shqetësues me përmasa të mëdha në Kosovë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb