NGA FATMIRA NIKOLLI

Shqipëria e dramave, nuk ka një dramë për në teatër! Është tejet ironike që në një vend të varfër ku problemet sociale mbysin çdo ditë jetët njerëzore, asnjë prej këtyre problematikave, e prezantuar në letërsi, nuk arrin artistikisht të meritojë skenën e Teatrit Kombëtar. Sezoni i ardhshëm artistik në Teatrin Kombëtar nuk sjell asnjë vepër shqiptare në skenë, ku të gjitha premierat do të jenë të autorëve të huaj.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, regjisori e dramaturgu Mihal Luarasi e kritikon lënien jashtë të autorëve shqiptarë, me gjithë vlerësimin që ai thotë se ka për drejtorin e TK-së, Hervin Çuli, i cili, ndonëse organizoi “Netët e leximit të dramës shqipe”, mes shumë veprave të prezantuara, mes shumë prurjeve, nuk arriti të gjejë një për t’ia prezantuar publikut. Por, nëse nuk ka një dramë që shkon te drejtori, atëherë duhet të jetë drejtori që shkon te drama. Mihal Luarasi, propozon që Çuli duhet të gjejë një mënyrë tjetër për të sjellë Shqipërinë në teatër; në mos duke thirrur, ai duhet ta bëjë duke kërkuar.

Pak ditë më parë, në një konferencë për mediat, Hervin Çuli(drejtor i TK), mbasi konfirmoi se nuk ka drama shqipe për sezonin e ardhshëm, la të kuptohej se të gjitha ato që ishin paraqitur nuk ishin në nivelin e duhur artistik që i kërkon një teatër kombëtar. Në të njëjtën linjë ishte edhe Përparim Kabo, anëtar i bordit në TK. Ndërkaq, me ardhjen e kësaj administrate në vitin 2013, ishte premtuar vëmendje për dramën shqipe dhe ringjallje e saj, mbasi u konstatua se ndër vite, niveli i saj ka rënë dhe se kohët e lavdishme të saj kanë perënduar.

E paçka përpjekjeve, me “Netët e leximit” të saj në këtë teatër, me ‘laboratorin’ e ngritur në një tjetër teatër, dramaturgët erdhën, por dramat jo – ose së paku, ky ka qenë rezultati i përpjekjeve dyvjeçare. Edhe ato pjesë që kanë prekur skenën vitet e fundit, kanë lënë shumë për të dëshiruar – paçka se zyrtarisht, nuk ka pasur kritika. Mbas muajsh përpjekje e ‘netësh leximi’, rezultati është po ai. Nuk ka drama(artistike) në një vend plota drama (njerëzore). Megjithëkëtë, Luarasi mendon të kundërtën. Dhe ai e sqaron përse, mbasi ka nënvizuar se e vlerëson Çulin e se në këtë kritikë, ka vetëm një mendim ndryshe, e asgjë personale.

– Sezoni i ardhshëm në Teatrin Kombëtar nuk ka asnjë dramë shqipe, sepse sipas drejtorit, asnjë dramë e paraqitur në “Netët e leximit” nuk ka qenë në lartësinë e duhur. Si një njeri i dramës shqipe dhe i teatrit shqiptar, si e shihni këtë deklaratë?
Kam lexuar në shtyp se çfarë ka thënë persekudrejtori i Teatrit Kombëtar mbi dramën shqipe në teatër. Unë, po them se së pari nuk jam në një mendje me idenë e drejtorit. Nuk jam dhe madje jam i çuditur nga kjo deklaratë, pasi në gjashtë vepra që do vihen në skenën e Teatrit Kombëtar në sezonin e ardhshëm janë të gjitha të huaja dhe asnjë shqiptare. Ai vetë si drejtor teatri, organizoi diçka shumë të bukur, që ishte “Netët e leximit” të dramës shqipe, që lexoheshin nga aktorët. Në ato paraqitje, u lexuan disa drama. Ndër to, dy a tri janë me të vërtetë drama shumë të mira për t’u vënë në skenë. Unë ato vepra i kam lexuar edhe më herët, ndërsa aty i dëgjova të interpretuara nga aktorët, sipas një programi dhe nisme që vetë drejtori kishte ndërmarrë, dhe kishte bërë shumë mirë. Habitem shumë me vendimin e mendimin e tij, që përjashton që repertorit të teatrit t’i mungojë drama shqipe.

– Pse nuk jeni dakord?
Përveç asaj që thashë, nuk më pëlqen edhe për arsye tjetër. Drejtori Hervin Çuli, nuk duhet të harrojë se është drejtor i Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, dhe në teatrin që ai drejton nuk duhet të mungojë drama shqipe. E jo vetëm për këtë fakt, por edhe për këtë. Drama të mira ka. Mund të jenë prej atyre që ai vetë i pa të prezantuara, ose edhe të lexuara prej tij apo prej nesh. – Në fakt ka qenë një vendim i gjithë bordit të Teatrit Kombëtar. Në këtë pikë, cili është mendimi juaj? E di, më është thënë se ky është një vendim i bordit të teatrit, dhe se në bord ka pasur diskutime të gjata për këtë punë. Por, unë di, ose kështu ka qenë tërë jetën që unë kam punuar në teatër, se drejtori i Teatrit, ka pas vetes ose një Këshill artistik siç ishte dikur, ose një bord siç është sot. Por, si këshilli ashtu edhe bordi, janë ndihmës të drejtorit. Ata, nuk mund të jenë vendimtarë mbi drejtorin. Se nëse vendosin ata, e jo drejtori, atëherë pse është drejtori?! Është drejtori që mban përgjegjësi, ai është përgjegjësi i institucionit dhe ai përgjigjet, nuk përgjigjet bordi. Në bord, mendimet mund të jenë të ndryshme, por nuk mbetet aty. Ai duhej ta kishte menduar mirë këtë gjë, duhej të kishte menduar mirë se po lë jashtë dramën shqipe, po e lë jashtë teatrit.

– Ngaqë Çuli pati premtuar vëmendje për dramën shqipe?
Po, pikërisht! Ndaj them që edhe për këtë nuk duhej të ishte lënë jashtë.

– Një tjetër kritikë që u bë për dramën shqipe, ishte se ajo merret shumë me të shkuarën, me komunizmin. Pra është një kritikë për tematikën. Ju, ç’mendim keni?
Unë vetë s’e kam dëgjuar ta thotë këtë një njeri, dhe do habitesha, sepse profesionistët flasin në mënyrë profesionale dhe artistike e jo kështu. Megjithatë, përcaktimi i vlerës së një vepre nuk ka të bëjë me kohën kur zhvillohet ngjarja, në të shkuarën, të sotmen apo në të ardhmen. Vlera e një vepre artistike, çmohet tek ajo çka thotë, nga mesazhi që ka brenda dhe në çfarë niveli e ka paraqitur dramaturgu mesazhin që ka vepra e tij, drama e tij. Nuk ka lidhje fare se në ç’kohë është vendosur ngjarja – ky është një absurditet.

– Pra drama shqipe, jashtë teatrit. Çfarë do të thotë kjo për dramën shqipe?
Siç e thashë më lart, se Teatri Kombëtar, është Teatri Kombëtar i Shqipërisë. Dhe shoqëria shqiptare sot është e mbytur në probleme, të mëdha, problemë të rëndësishme, të prekshme. Edhe nëse, ta zëmë, po marrim një shembull, që drejtori i teatrit nuk ka gjetur një dramë, pra nuk i ka shkuar një dramë, nuk i është paraqitur në teatër një e tillë, atëherë, duhet ta kërkojë ai. Duhet të gjejë mënyrën, të bashkëpunojë me autorët, për të trajtuar problemet e ethshme e të thekshme që ka sot shoqëria shqiptare, siç është papunësia, dhe plot të tjera.

– Ju vetë, kishit paraqitur ndonjë pjesë, ndonjë dramë të shkruar prej jush te “Netët e leximit” të dramës shqipe?
Jo, jo. Nuk kam dërguar asnjë nga dramat e mia për t’u lexuar e për t’u vënë në skenë. Nuk jam konkurrent me asgjë.

– Pra, nuk keni konflikt interesi me Teatrin Kombëtar?
Jo, absolutisht asgjë! Përkundrazi, unë kam simpati për drejtorin e teatrit. Nuk ka të bëjë fare kjo pjesë. Në këtë rast, ne mendimet i kemi të ndryshme, por nuk do të thotë as që kemi inate e as që kemi konflikte, e as që ky është sulm. Mendimi im për Çulin si regjisor e si aktor është pozitiv.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb