Shkëndija e Tetovës e ka patur tepër të vështirë përballjen e parë kundër Milanit në “San Siro”. Skuadra shqiptare e Maqedonisë është mundur thellë me rezultatin 6-0 nga të besuarit e Vinçenzo Montelës duke mos patur mundësinë për të lënë gjurmë në stadiumin mitik të qytetit të Milanos.

Goli i parë erdhi pa kaluar shumë pasi Andre Silva mposhti pa shumë veshtirësi portierin Zahov në minutën e 13-të. Montolivio në të 25-ën dhe sërish portugezi Silva do të mbyllnin pjesën e parë me shifrat 3-0.


Sërish në pjesën e dytë Shkëndija e pati të vështirë të bënte diçka kundër një Milani që ka shpenzuar rreth 200 mln euro në merkato vere. Goleadën e italianëve e plotësuan Fabio Borini në të 67-ën, Antonelli në të 69-ën dhe sërish Montolivio në të 85-ën.

Pavarësisht rezultatit, në fund Shkëndija mori duartrokitjet e tifozëve të shumtë kuqezi në shkallët e stadiumit. Jo vetëm tifozët e skuadrës tetovarë, por edhe tifozë të Milanit duartrokitën ekipin që bëri historinë duke shkuar për dy vite radhazi në fazën “play-off” të Europa League.

Për skuadrën shqiptare nga Maqedonia nuk do të mbetet shumë për të bërë në takimin e kthimit në Shkup pasi rezultati flet vetë, por gjithsesi nuk është pak të sfidojë “djallin” në një ndeshje prestigji në fushën e tyre.

Milan-Shkëndija e Tetovës 20:45

Milan: Donnarumma G.; Conti, Bonucci, Zapata, Antonelli; Kessie, Montolivo, Calhanoglu; Suso, André Silva, Borini

Trajner: Vinçenso Montela

Shkëndija e Tetovës: Kostandin Zahov, Egzon Bejtulai, Armend Alimi, Ardian Cuculi, Besart Ibrahimi, Ennur Totre, Feran Hasani, Ivan Celikovic, Marjan Radeski, Blagoja Torodovski, Besart Abdurahimi

Trajner: Qatip Osmani

Gjyqtar: Harald Lechner (Austri)

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb