TIRANE – Pas mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, nënkryetari i LSI-së, Luan Rama nga kryesia e Kuvendit tha se Lëvizja Socialiste për Integrim është e kënaqur me arritjen e marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës, pasi këtë gjë e kërkonte prej kohësh.

Rama tha për gazetarët se Kuvendi “po investon për të formalizuar marrëveshjen politike të arritur në përputhje me atë që ka mbajtur qëndrim LSI prej kohësh”

“Kur ne insistonim për nevojën për dialog, kur thamë që për LSI-në është e rëndësishme pjesëmarrja e opozitës në zgjedhje, kur thamë dhe që jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha pushtetet, kur dhe Meta nën cilësinë e kryetarit që tha se jemi të gatshëm të mbështesim një qeveri besimi nëse opozita është e kënaqur, mbetemi korrekt në mbështetjen tonë për implementimin e kësaj marrëveshje,” tha Luan Rama.

Luan Rama tha se LSI me gjithë angazhimin e saj ka përmbushur detyrimet ligjore pa hequr dorë për asnjë çast.

“Nuk besoj se nuk ka shqiptar që nuk e di që LSI duke qenë pjesë e qeverisjes ka ushtruar presion ndaj maxhorancës për t’u ulur me opozitën për të realizuar zgjedhje me opozitën sepse do ishte hap i madh mbrapa, absurd të bëheshin zgjedhje pa opozitën. Ne kërkonim që qeveria të kishte besimin e opozitës për të realizuar zgjedhje me standarde”, tha ai.

Lidhur me faktin se si ndihet LSI pas marrëveshjes Rama-Basha, Luan Rama tha: E para që zgjedhjet nuk do kthehen në aventurë pa opozitën. Ndihemi mirë që opozita ka besim tek qeveria me kryeministër Edi Ramën, nga ana tjetër është një sfidë luajale. LSI do ta vlerësojë maksimalisht besimin e qytetarëve për të dalë forcë e parë të tjerët të vijnë pas nesh.

(e.f/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: