SERBI– Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vucic ka zhvilluar një takim me ministrin e jashtëm gjerman ndërsa dy liderët kanë diskutuar për procesin e anëtarësimin të Serbisë në BE dhe rolin e saj në rajon. Ministri i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel u shpreh se anëtarësimi i Serbisë varet edhe nga marrëdhëniet që ka me Kosovën.

“Fitorja në zgjedhje të jep arsye për gëzim por edhe përgjegjësi për procesin reformues dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Kosovën si një kusht të nevojshëm për anëtarësim në BE”, tha Gabriel, duke uruar Vucicin për fitoren e tij në zgjedhjet e fundit presidenciale serbe.

Vucici tha se dialogu nuk është një temë e lehtë, duke shtuar se lëvizjet e palës serbe kërkonin kurajë. Ai po ashtu përmendi faktin se dialogu Kosovë-Serbi është i ndërprerë tani, por jo për shkak të Serbisë, duke thënë se ata ishin gjithmonë të gatshëm për bisedime.

Ndërkohë duke marrë parasysh protestat që po zhvillohen në Serbi kundër Vucicit, ministri gjerman tha se ato janë pjesë e demokracisë dhe janë jetike për të dëshmuar se Serbia është një shtet i qëndrueshëm.

Sa i përket pyetjes së gazetarëve lidhur me ndikimin rus në Ballkan, Vucic tha se: “synim strategjik i BE-së është mirëmbajtja e lidhjeve të mira me Rusinë dhe Kinën”, raportojnë mediat serbe.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb