TIRANE- Pak kohë më parë “BalkanWeb” bëri publik lajmin se kreu i PD-së, Lulzim Basha kishte marrë disa mesazhe kërcënuese, gjë që e kishte detyruar të rriste sigurinë, ndërsa një gjë e tillë është konfirmuar sot edhe nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj i ftuar në emisionin “Top Story”. Xhafaj ka deklaruar se kërcënimet për Lulzim Bashën kanë qënë reale.

“Kërcënimet ndaj Z. Basha kanë qenë reale. Ne i kemi trajtuar këtë sinjalizime shumë seriozisht. Menjëherë ne kemi vënë në dijeni stafin e afërt që merret me sigurinë e Z.Basha”.

Duke insistuar tek kjo pikë, Sokol Balla pyeti nëse kërcënohej Basha nga grupe paramilitare në Maqedoni, por ministri Xhafaj e mohoi këtë.

Sokol Balla: A është kërcënuar Basha nga grupe paramilitare në Maqedoni?

Fatmir Xhafaj: Kanë qenë disa deklarata të bëra nga ISIS dhe eksponentë të tyre në rajon. Nuk kanë qenë adresime direkte ndaj sigurisë së zotit Basha, por indiciet çonin edhe aty. Kemi pasur raporte të mira me SHISH, si p.sh për festat e kaluara. Gjatë kohës së festave kishim informacione për persona konkret që ndodheshin në Shqipëri që kishin potenciale për akte terroriste. Ata kanë hyrë dhe kanë dalë në territorin shqiptar. Gjate gjithë kësaj periudhe kemi qenë në alarm.

Sokol Balla: Ka pasur një shkresë të SHISH për trazira dhe a i ka shkuar MPB apo institucioneve të tjera?

Fatmir Xhafaj: Me SHISH kemi pasur një marrëdhënie shumë të mirë për organizimin e Pashkëve, periudhë e njëjtë me kërcënimet ndaj z.Basha por raste pa lidhje me njëra-tjetrën. Ishte gjykuar nga shërbimet e inteligjencës shqiptare dhe ndërkombëtare se kishte persona që mund të organizonin aktivitete terroriste në territorin shqiptar. Këto janë procese që survejohen, janë më shumë se një moment i caktuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb