TIRANË- Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha i ka quajtur të papranueshme deklaratat e kryeministrit Edi Rama për të përfshirë policinë në fushatë.

Në një status në “Facebook”, Gjosha shkruan se kjo ndodh në një vend që do të çelë negociatat me BE-në. Ajo i bën thirrje policisë të mos bëhet palë e asnjë partie dhe interesi por të mbrojë qytetarët.

Gjosha gjithashtu apelo ndaj Task-Forcës dhe Ministrit të Brendshëm të ndalojnë presionet ndaj administratës.

STATUSI I GJOSHËS
Është e papranueshme që të trumbetosh reformat shtetndërtuese, me thirrje të padëgjuara më parë, ku Policisë së Shtetit i kërkohet të mbledhë vota për partinë! Është e papranueshme të ndodhë kjo në një vend që do të çelë negociatat me BE! Ne nuk mundemi të lejojmë që të zhbëhen standardet e procesit të integrimit.

Policia e Shtetit në një vend demokratik është e depolitizuar dhe ka vetëm një mision:
Të jetë gardiania e qytetarëve, lirive, të drejtave të tyre dhe të garantojë një proces zgjedhor normal, ashtu siç shqiptarët e meritojnë. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të mos bëhet palë e asnjë partie, asnjë lloj interesi, pasi çdo veprim i tyre raportohet pranë instancave të Bashkimit Europian.

Çdo veprim në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin bëhet pengesë e të ardhmes europiane të Shqipërisë. I bëj thirrje gjithashtu Task Forcës dhe Ministrit të Brendshëm të ndalojnë presionet ndaj administratës dhe të marrin të gjitha masat që Policia e Shtetit të jetë vigjilente dhe të reagojë ndaj çdo akti dhune që po shoqëron fushatën zgjedhore!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: