NGA: OLIVER JENS SCHMITT*
In memoriam Ardian Klosi
Kur vdiq Ardian Klosi, në pranverën e vitit 2012, sho qëria shqiptare humbi një ndër intelektualët e saj më të angazhuar dhe më të guximshëm, veprimtaria e të cilit i tejkalonte kufijtë e vendit dhe të hapësirës shqipfolëse. Për familjen dhe miqtë e tij, kjo humbje ishte dhe vazhdon të jetë tragjike dhe e dhimbshme. Në historinë e kulturës shqiptare të shekullit XX dhe të fillimit të shekullit XXI, Ardian Klosi do të radhitet ndër emrat e mëdhenj dhe të paharrueshëm, si një mbrojtës i angazhuar i shoqërisë civile shqiptare, si eseist, shkrimtar, gazetar dhe si një ndër ndërlidhësit më të rëndësishëm mes botës shqipfolëse dhe asaj gjermanishtfolëse. Ardian Klosi i përkiste një grupi të vogël intelektualësh shqiptarë me format europian. Qëndrimi i tij i vendosur, lufta e tij për një Shqipëri ku qytetarët të jetojnë me dëshirë dhe të sigurt, betejat e tij për të drejtat e njeriut dhe qytetarit, për mbrojtjen e mjedisit, kundër elitave politike të korruptuara dhe shpeshherë të lidhura me krimin, i sollën shumë kundërshtarë, sidomos në rrethanat e një jete mediatike dhe publike, që shpesh ose nuk i njeh, ose i njeh shumë pak standardet etike dhe profesionale. Nuk ishte rastësi që shumë vendimmarrës nga politika, media dhe shkenca thjesht nuk e kuptonin Ardian Klosin, nuk ishin në gjendje t’i përfytyronin idealet e tij dhe qëndrimet që rezultonin prej tyre. Ata e shihnin atë, dhe me të drejtë, si dikë që po prishte sistemin e pushtetit të ngritur prej tyre.
Kur u nda prej nesh, Ardiani la pas një zbrazëti, që deri më sot nuk është mbushur. Pas vdekjes së tij u mekën edhe ata zëra që e kishin sulmuar deri atëherë. Ndërkohë Fondacioni S.Fischer (Berlin), në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, i ka dedikuar një çmim publicistike, që mban emrin “Ardian Klosi”. Po ky fondacion, i cili i detyrohej shumë Ardian Klosit, ka hapur edhe një bursë rezidencash për përkthyes nga gjermanishtja në shqip, që gjithashtu mban emrin e tij. Por tani, disa vite nga vdekja e tij, rreth emrit të tij ka rënë heshtja. Këtë heshtje synon ta thyejë libri që keni në dorë. Ky libër e ka prejardhjen në traditën akademike të vëllimeve përkujtimore dhe nuk synon vetëm që të ndriçojë disa aspekte historike dhe kulturore të Shqipërisë, por edhe të vlerësojë një ndër fushat e shumta të veprimtarisë së Ardian Klosit: punën e tij si ndërlidhës mes gjuhëve dhe kulturave shqiptare e gjermane. Është me rëndësi ta theksojmë këtë, sepse brenda kësaj kornize as nuk mundemi e as nuk synojmë ta nderojmë të gjithë veprën e tij. Kjo mund të arrihej vetëm në kuadër të një biografie të gjerë. Synimi i këtij vëllimi është më modest: këtu janë mbledhur shkrime nga njerëz që e shohin si detyrim personal këmbimin midis botës shqiptare dhe vendeve gjermanishtfolëse; këta janë intelektualë dhe shkencëtarë njëherazi – këtu kufijtë përzihen – sikurse përziheshin në veprimtarinë e Ardian Klosit, që përmban studime, prozë eseistike dhe përkthime.
Në këtë vëllim përmblidhen shkrime nga njerëz që e kanë njohur personalisht Ardian Klosin dhe nga njerëz që me artikujt e tyre kanë shprehur respekt për punën e tij. Ndër ta ka shkrimtare dhe shkrimtarë, gjë që do t’i kishte pëlqyer veçanërisht Ardian Klosit. Është krijuar kështu një antologji, që dëshmon sesa e pasur është bërë jeta intelektuale në këtë pikëtakim, mes shqipes dhe gjermanishtes gjatë çerekshekullit të kaluar, pra që nga rënia e diktaturës enveriste e gjer në ditët e sotme. Ardian Klosi ka pasur këtu kontributin e vet, çfarë, së paku pjesërisht pasqyrohet edhe në këtë libër. Pjesa e parë e vëllimit përbëhet nga ese që vlerësojnë veprimtarinë e Ardian Klosit në këtë pikëtakim midis dy kulturave. Ato janë shkruar nga Konrad Clewing, historian dhe mik personal nga koha e Mynihut, i cili ravijëzon vendin e Ardian Klosit në historinë e sotme të Shqipërisë; nga Christian Zindel, i cili ka punuar ngushtë me Ardianin në kapërcyell të shekujve si përfaqësues i fondacionit kulturor zviceran “Pro Helvetia” dhe nga Enver Robelli, që sikurse Ardiani është eseist dhe përkthyes dhe një ndër zërat më të njohur në publicistikën e sotme të hapësirës shqiptare dhe gjermanishtfolëse. Kësisoj, lexueses dhe lexuesit i ofrohet një përpjekje nga këndvështrime të ndryshme për të nderuar veprimtarinë e Ardianit dhe vendin e tij në historinë e kulturës shqiptare. Shkrimtarja Lindita Arapi, zëri më i rëndësishëm letrar që lidh sot Shqipërinë me vendet gjermanishtfolëse, i kushton Ardian Klosit dy shkrime, titujt e të cilëve, “Tirana pa miq” dhe “I huaji” mund të lexohen edhe nën prizmin e jetës së Ardianit.
Nga fusha e gjuhësisë vijnë artikujt e Lumnije Jusufit, Monica Genesini-t dhe Joachim Matzinger-it, të cilët dëshmojnë sesa qendrore është kjo disiplinë për hulumtimin e historisë së kulturës shqiptare. Lumnije Jusufi rrok një temë që e ka preokupuar vazhdimisht Ardian Klosin: standardizimi i shqipes, më saktë, çështja kulturore sesi mund të përshtatet shqipja standarde, e hartuar në vitin 1972, me realitetin gjuhësor të krijuar me hapjen e kufijve dhe rikrijimin e lidhjeve të ngushta – tashmë 25-vjeçare – midis shqiptarëve të Ballkanit dhe sesi mund të përfshihet më shumë në të tradita letrare e gegërishtes. Me këtë temë merret edhe artikulli shkencor i Hans-Joachim Lankschit, i cili i afrohet këtij pikëtakimi mes dy kulturave nga ana gjermane dhe që, sikurse edhe Ardian Klosi, është përkthyes, porse e ndien veten më të lidhur me trashëgiminë e gegërishtes. Kjo vihet re që nga gjuha e përdorur në artikullin në fjalë: i vetmi i shkruar në gegërisht. Atë që Lankschi e trajton nga këndvështrimi letrar, Jusufi e analizon në një krahasim midis sistemeve gjuhësore policentrike dhe tërheq vëmendjen për disa ngjashmëri interesante strukturore ndërmjet dy botëve gjuhësore, që politikisht kuptohen në mënyra të ndryshme. Me botët kulturore dhe gjuhësore të gegërishtes në periudhën para kohës së re, merren artikujt e Monica Genesin-it dhe Joachim Matzinger- it.
Që të dy trajtojnë një aspekt deri tani të rrallë të historisë së gjuhës: raportet ndërgjinore. Artikujt historikë përballen me historinë më të re të Shqipërisë. Me shkrimin e saj mbi konfliktet e kishës ortodokse në Prizrenin e viteve 1870, Eva Anne Frantz na kujton se sa fort duhen përfshirë edhe fenomenet “joshqiptare” në interpretimin e historisë shqiptare, e cila është një histori që nuk mund të shkruhet vetëm duke iu referuar një etnie të vetme. Si bazë për këtë shkrim kanë shërbyer raportet e shumta të konsullatës austro-hungareze, të cilat janë ndër fondet më të rëndësishme burimore për historinë e shqiptarëve gjatë shekullit XIX. Shkruesit e tyre, austriakë ose hungarezë, kishin shumë influencë në jetën kombëtare dhe ndërkombëtare të shqiptarëve rreth viteve 1900. Krisztián Csaplár- Degovics, i cili është hungarez dhe nuk e ka gjermanishten gjuhë amtare (sikurse Monica Genesin), por është i lidhur me hapësirën gjermanishtfolëse për shkak të punës shkencore, nëpërmjet fatit mahnitës të Leopold Ghilardi-t, komandantit të “Djelmënia shqiptare”, përshkruan se si lëviznin njerëzit në këtë pikëtakim të Shqipërisë me Europën Qendrore. Ky aventurier dhe oficer i lindur në Karlovac të Kroacisë, me prejardhje italiane e luajal ndaj Habsburgut, që ia kushtoi jetën ngritjes së shtetit shqiptar, vështirë të klasifikohet sipas koncepteve hapësinore – ai përfaqëson si Austro- Hungarinë e rënë, ashtu edhe Shqipërinë në ngritje, për të cilën edhe luftoi në vitet 1913-1918 kundër trupave serbe, greke dhe italiane.
Një temë, me të cilën Ardian Klosi u mor shumë gjatë jetës së tij, ishte historia më e re e Shqipërisë. Fakt është se barra e traumës së enverizmit ka mbetur e papërpunuar deri më sot. Një nostalgji amnezike për të kaluarën po përhapet sot te një pjesë e kulturës rinore, ndërkohë që enveristë të vjetër dhe të rinj përpiqen të rehabilitojnë njërin nga diktatorët më brutalë të shekullit XX. Shkrimet e tre historianëve të kohës së sotme, Irida Vorpsi, Idrit Idrizi dhe Visar Nonaj dëshmojnë në mënyrë paradigmatike se si e kuptojnë studiuesit e rinj shkrimin e historisë së sotme shqiptare: të bashkëlidhur ngushtë me hulumtimin europian, të vendosur mbi baza teorike, të mbështetur mbi burime origjinale, jo vetëm përshkrues, por edhe analizues dhe interpretues. Vorpsi i qaset mitit të partizanëve të tipit shqiptar me një analizë diskursi të këngëve partizane. Artikulli i Idrizit na çon në bërthamën e pushtetit enverist dhe analizon pasojat e informacioneve të tejfryra të shërbimit të fshehtë. Citati i diktatorit që përfshihet në titull – “Natyrisht, të tëra gjërat ne nuk mund t’i dimë, se kompjutorë ne nuk jemi” – tingëllon qesharak vetëm nëse i harron tmerret e shkaktuara nga spiunimet, denoncimet, sistemet e kampeve dhe dënimet kolektive që ngritën ndër vite ai dhe ithtarët e tij të shumtë. Edhe Visar Nonaj hap vise të reja me studimin e tij mbi krenarinë e politikës industriale të regjimit, kombinatin “Çeliku i Partisë” në Elbasan, rrënojat e të cilit na kujtojnë sot atë “hap të madh të Shqipërisë përpara”, kostoja njerëzore dhe mjedisore e të cilit shpesh harrohen. Ardian Klosi do të gëzohej padyshim për angazhimin e kësaj shkolle të re për historinë bashkëkohore të Shqipërisë. Si shoqëri të tjera të ngjashme, edhe Shqipërisë i duhej distanca e një brezi për t’iu qasur traumës së diktaturës, paçka se kjo qasje në Shqipëri ecën më ngadalë dhe më mundimshëm se gjetkë. Për këtë të fundit dëshmojnë sidomos armiqësitë, me të cilat iu desh të përballej Ardian Klosi gjatë përpjekjeve të tij. Urën lidhëse ndërmjet disiplinave të historisë dhe antropologjisë e bën aktualisht njohësi më i mirë i realiteteve të shoqërisë së sotme shqiptare, Robert Pichler.
Ai e hedh vështrimin në ato pjesë të shoqërisë shqiptare të Ballkanit që hulumtohen dhe njihen më pak: te shqiptarët e Maqedonisë, të cilët në imagologjinë brenda-shqiptare kanë një pozitë të veçantë, edhe për arsyen se opsioni i identitetit kombëtar nuk e ka shtyrë aq në sfond opsionin e identitetit islamik, sikurse ka ndodhur në Shqipëri a Kosovë. Studimi i Pichler-it trajton qëndrimin e tyre në kontekstin e përgjithshëm të shqiptarëve në Ballkan, si dhe në lidhje me kombin titullar maqedonas. Vëllimi mbyllet me një studim historik të Michael SchmidtNekes, njohësi më i rëndësishëm gjerman i historisë së re shqiptare, i cili prej disa dekadash ngre ura lidhëse midis Shqipërisë dhe Gjermanisë në histori dhe shkenca politike. Ai merret me kapitullin më të zymtë të marrëdhënieve politike dhe kulturore shqiptaro-gjermane, me albanologjinë gjermane të periudhës së nacional-socializmit dhe tregon se kemi të bëjmë me një disiplinë mjaft të margjinalizuar, me një domethënie shumë të vogël në konceptet hapësinore ekspansive të Rajhut të Tretë. Këto shkrime lidhen përmbajtësisht me interesat dhe punën e Ardian Klosit. Ato janë një homazh që autoret dhe autorët i bëjnë atij, por pa dashur ta kthejnë figurën e Ardian Klosit në një monument të ngurtë, siç ndodh shpesh me intelektualë të rëndësishëm, emrin e të cilëve e njeh shumëkush, ndërsa veprat dhe sidomos personalitetin e tyre thuajse askush. Tekstet e gjalla të këtij vëllimi kanë si synim të nderojnë një intelektual, që ka vepruar jo vetëm me shkrimet e tij, por edhe me personalitetin e tij. Prandaj unë, si realizues i këtij vëllimi, do të dëshiroja të shtoja edhe disa fjalë nga vetja. Kam pasur fatin e mirë ta njihja personalisht Ardian Klosin dhe të bashkëpunoja me të.
Ardiani ishte njeri me karizëm, çfarë sot rrallë e gjen; akoma më të rrallë janë njerëzit karizmatikë, që këtë veti e vënë në shërbim të një çështjeje për të mirën e përgjithshme, e jo vetëm të dobisë personale. Ardian Klosi zgjodhi të bënte një jetë, luftën e vendosur të së cilës – angazhimin për shoqërinë civile dhe shtetin juridik, për një shoqëri në të cilën ia vlen të jetohet, me rregulla që respektohen vullnetarisht dhe me dëshirë – nuk arriti ta fitonte përsa ishte gjallë. Por ai e dinte se çdo sinjal i dhënë nga njerëz që nuk mendojnë dhe veprojnë në mënyrë konformiste, ishte vendimtar në ato vite, kur shumica e bashkëvendësve të tij luftonin dhe ende luftojnë rëndom për mbijetesë. Ai mori përsipër rolin e intelektualit, madje të disidentit, siç e njohim prej regjimeve autoritare nga historia e Europës. Atij dhe familjes së tij kjo nuk i solli vetëm privime, por edhe një masë të madhe e të qenët në shënjestër dhe kjo në një shoqëri, ku shpesh në media vlen ligji i xhunglës dhe sulmet e hapura në publik bëhen me një gjuhë jashtëzakonisht brutale. Ardian Klosi ishte natyrë luftarake, kishte shumë fuqi dhe këto i duheshin, sepse numri i bashkëluftëtarëve të tij nuk ishte kurrë i madh ose i njëjtë dhe ndoshta nuk kishte si të ishte ndryshe në ato kushte shoqërore. E prapëseprapë, kurrë nuk e përjetova Ardianin si idhnak, përkundrazi, çfarë të binte në sy tek ai, përveç zgjuarsisë, ishte sidomos humori, fakti që qeshte i çliruar, që ishte i zhveshur nga tutela e shoqërisë diktatoriale dhe që e bënte jetën jo si pjesë e një kolektivi, por si individ i pavarur. Çfarë bënte dhe arrinte, i jepte kënaqësi, e bënte me dashuri dhe përkushtim. Në një vend ku flitet shumë për patriotizmin, ai ishte me të vërtetë një njeri që i çmonte dhe i donte vendlindjen dhe njerëzit e saj. Këtë e vija re sidomos gjatë udhëtimeve që bënim bashkë në pjesën historike të Shqipërisë së Veriut. E paharruar do të mbetet për mua një shëtitje që bëmë në fillim të pranverës në rrënojat e Shasit, që asokohe ishte mbuluar nga një bimësi e dendur mesdhetare; malet e Anës së Malit ishin nën mjegull dhe binte një shi iimët. Në qetësi, kjo kulturë mesjetare, me arkitekturën e saj romake, bëhej edhe më e ndjeshme. Dhe Ardiani kishte një dhunti të veçantë për t’i hyrë historisë së Shqipërisë gjer në thellësi dhe për t’ia bërë të përjetueshme shoqërisë së sotme.
Këto udhëtime në historinë e mesjetës përmbanin edhe entuziazëm, edhe kënaqësi. Nuk do të harroj edhe se si pas një vizite në piskun e verës në Rrënojën e Drishtit, shkuam për t’u freskuar në lumin Kir, ku na u bashkuam disa djelmosha të fshatit, që u çuditën me zviceranin që kishte ardhur në përroin e fshatit të tyre dhe mundohej të fliste shqip. I paharruar është për mua edhe kërkimi i Rrënojës së Balecit, në të njëjtën zonë. Kishim pyetur banorët, kishim bredhur me makinë gjithë zonën, kur na u shfaq përpara një luginë e vogël, në fakt një shtrat përroi. Ardiani i dha gaz dhe befas u gjendëm mbi shtratin e përroit, i cili sa vinte e bëhej më i pjerrët e i thellë. E pyeta nëse e njihte zonën, përgjigjja e tij, natyrisht jo, dhe pas pak përfunduam mbi një lëndinë. Një kërkim tjetër me historianët Kasem Biçoku dhe Dritan Egro kaloi me po kaq aventura. Duke zbritur nga një mal i vogël, të cilit iu ngjitëm më kot – fshatarët e shtëpisë në rrëzë të malit na kishin dhënë më parë miqësisht ujë burimi shumë të shijshëm – ngatërruam rrugën. Ishte pragu i 50-vjetorit të lindjes së Ardianit. Kur më në fund arritëm të gjenim makinën, shkuam për ta festuar në një restorant të mirë buzë Liqenit të Shkodrës. Në këto udhëtime e shumë takime në Tiranë dhe Vjenë, kam mësuar shumë prej Ardianit, i cili e njihte kulturën e tij, atë gjermane dhe atë europiane; letërsia, gjuha dhe kultura ishin për të objekte të gjalla dashurie. Nga këto biseda kanë dalë përkthimet, me të cilat Ardiani arriti të prezantonte punën time te publiku shqiptar. Këto përkthime, si çdo gjë që bënte dhe merrte në dorë, Ardiani i shihte si pjesë të një projekti kulturor, që synonte të çante botën e ndrydhur dhe shpirtngushtë të ndërtuar nga enverizmi, që i pat vënë drynin shoqërisë shqiptare. Në vitet 2008 dhe 2009, Ardiani përjetoi shumë më tepër armiqësi se unë, vetëm për shkak të afërsisë hapësinore me revoltën politike dhe mediatike, që preku edhe familjen e tij.
Në atë periudhë njeriu mund të kuptonte se çfarë ishte dinjiteti. Unë jam i bindur se me kalimin e kohës shoqëria shqiptare, ose të paktën disa pjesë të rëndësishme të saj, do t’i shikojnë ngjarjet e asaj kohe me një tjetër sy dhe do ta kuptojnë se sa absurde dhe sa të ndikuara nga mendësia e vjetër kanë qenë akuzat që ngritën njerëzit, kush me vetëdije të plotë, e kush duke imituar në mënyrë të pareflektuar, por më trivializuese. Ardian Klosi e pëlqente debatin e mençur intelektual dhe ishte gjithnjë i gatshëm të dëgjonte argumentin e tjetrit dhe të bënte debat të mirëfilltë. Duke pasur parasysh qëndrimet shumë shpesh të ngurtësuara të opinionit publik shqiptar, kjo nuk ishte dhe nuk është e lehtë. Ardiani nuk druhej nga argumentet e formuluara qartazi, por atij i interesonte tema dhe jo, si shumë shpesh kundërshtarëve të tij, personi. Argumentet që sillte, temat që rrokte kanë vlera po aq të qëndrueshme për shoqërinë shqiptare, sikurse vepra e tij si shkencëtar dhe përkthyes. Artikujt e Ardianit duhen mbledhur dhe botuar në një vepër ku të përfshihet e gjithë krijimtaria e tij publicistike. Sepse Ardian Klosi e ka ndjekur dhe përshkruar për një periudhë prej mbi dy dekadash rrugën e atdheut të tij, nga diktatura enveriste drejt kësaj bote të ndërmjetme e të paqartë ku gjendet sot Shqipëria. Proza e tij mund të shihet edhe si histori e Shqipërisë së asaj kohe, e cila sidomos lexuesve të rinj mund t’u duket si një lashtësi mitologjike e çuditshme, prej së cilës kanë mbërritur në të tashmen vetëm disa pjesë dhe fragmente të turbullta. Jam i bindur se në një vështrim retrospektiv pas disa dekadave, Ardian Klosi do të renditet krah emrash si Frashëri ose Faik Konica, si një prej zërave të paktë autentikë të Shqipërisë dhe njerëzve të saj në kapërcyell të shekullit XX. Ardian, miqtë e tu nuk të harrojnë. Dhe le të jetë ky libër një shembull në këtë drejtim.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)