NGA VJOLLCA KONGJONI
TIRANË- I konsultuar prej një viti me grupet e interesit dhe institucionet ndërkombëtare, ligji i faljes së detyrimeve fiskale kalon me shumicë të cilësuar në Parlament. Një nismë kjo e certifikuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar pas reformave fiskale në Shqipëri. Sipas ministrit të Financave Arben Ahmetaj, ky ligj ka si objektiv mbështetjen e qytetarëve dhe bizneseve.

[fbvideo link=”https://www.facebook.com/balkanwebCOM/videos/1298103526905268/” width=”500″ height=”400″ onlyvideo=”1″]

“Arsyet e certifikimit nga FMN janë dy: Së pari ndjek të gjitha proceset e lehtësimit të sipërmarrjes; Së dyti e ngarkon parimin me një lehtësi plus për të lehtësuar biznesin e vogël dhe individët që kanë detyrime. Janë instrumente në luftën kundër informalitetit”, theksoi Ahmetaj.

Në fjalën e tij në Parlament ministri ka shpjeguar me detaje mënyrën e funksionimit të ligjit. Sipas tij, falja e borxheve tatimore dhe doganore për biznesin dhe individët do të bëhet deri në 31 dhjetor të 2017, e shtrirë në dy faza. E para nis nga viti 1996 deri në 31 dhjetor 2010, dhe detyrimet do të falen pa kusht.

“Falen pa kusht 29 miliardë lekë, janë detyrime që janë fshirë para vitit 2010 me ligj, dhe për shkak se ka një klauzolë ligjore se ato që kanë kaluar pesë vjet të pambledhura konsiderohen të pambledhshme atëherë ky ligj nuk bën gjë tjetër veçse sanksionon të drejtën e fshirjes së atyre detyrimeve pa kusht para vitit 2010, 31 dhjetor 2010”, tha Ahmetaj.

Ndërsa faza e dytë nis nga 1 janari 2011 deri në 31 dhjetor 2014 me parimin që gjobat dhe kamatëvonesat të falen me kushtin që të paguhet detyrimi.

“Parimi i dytë është 1 janar 2011, 31 dhjetor 2014, fshirja me kusht, që do të thotë nëse ke një detyrim tatimor dhe nuk ke paguar principalin dhe për këtë ke marrë edhe gjoba e interesa nga kjo mospagesë, atëherë me këtë ligj falen gjobat dhe kamatëvonesat por me kushtin detyrues që të paguhet principali. Një parim i shëndetshëm dhe lehtësues dhe ku kusht do të prek më shumë se 200 mijë individë”, u shpreh ministri.

Kjo skemë do të ndiqet edhe për taksat e automjeteve. Përfitues të faljes fiskale do të jenë edhe të punësuarit në qytet dhe fshat të cilët nuk kanë paguar detyrimet për sigurimet shoqërore. Për këtë kategori do të falen gjobat dhe kamatëvonesat por jo kontributi. Një tjetër lajm i mirë shkon edhe për 90 mijë individë që një vit më parë u gjobitën nga tatimorët për shkak të kalimit të sistemit online. Me ligjin e ri gjoba prej 10 mijë lekësh do t’iu fshihet.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb