Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, në një intervistë të gjatë për “Gazeta Shqiptare” sqaron detajet e udhëzimit për dhënien me qira të monumenteve të kulturës. Ajo siguron se nuk ekziston asnjë listë monumentesh të paracaktuara për t’u dhënë me qira dhe se nuk ka asnjë plan nga MK për motele e qofte në sitet e trashëgimisë. Sipas Kumbaros, përvojat e këqija në këtë fushë kanë bërë që të djegurit nga qulli t’i fryjnë edhe kosit, por se në këtë pikë kujton se, “kontratat kanë prodhuar vetëm ‘shfrytëzim, me qëllim realizimin e biznesit’ dhe jo atë çfarë parashikon ligji ‘shfrytëzim me qëllim rijetëzimin e monumentit për qëllime social-kulturore”. Në intervistën e mëposhtme Kumbaro u përgjigjet disa shqetësimeve mbi monumentet e udhëzimin.

– Duke pasur parasysh edhe debatin e zhvilluar në vitin 2013, për dhënien me qira të monumenteve të kulturës, përse ministria nxori një udhëzim pa u konsultuar me grupet e interesit? A është menduar (nëse po pse nuk u bë) një tryezë (debat) publike me ekspertët e fushës për çështjen?
Për stafin drejtues të Ministrisë së Kulturës, kjo temë ka filluar të vlerësohet dhe të gjykohet gjerësisht e profesionalisht që kur në fund të vitit 2013, Ministria e sotme e Kulturës dhe KKR-ja e sotme i kushtoi një vëmendje të posaçme rastit konkret të projektit për dhënie me qira të Kalasë së Lezhës, në të cilin gjetëm shkelje të procedurave dhe shfuqizuam të gjitha vendimet që shpinin drejt realizimit të atij projekti i cili, sipas mendimit tim, ishte për më tepër edhe në dëm të monumentit. Ky diskutim është thelluar më shumë qysh kur Ministria e sotme e Kulturës dhe i gjithë sistemi publik i trashëgimisë, drejtoritë qendrore, ato rajonale, IMK, ASHA, QKIPK, DRKK, etj., filluan punën për hartimin e projektligjit të ri të trashëgimisë, në mes të vitit 2014.

Versionet e ndryshme të këtij projektligji ku konceptet e administrimit të trashëgimisë dhe bashkëpunimet e ndryshme janë pjesë integrale të projektit, janë shpërndarë gjerësisht jo vetëm te ekspertët e trashëgimisë, anëtarë të Këshillave Kombëtarë, por u janë dërguar shoqatave, individëve, institucioneve të ndryshme të interesuara ose të përfshira në sektorë të ndryshëm të Trashëgimisë. Janë shkëmbyer korrespondenca, janë marrë sugjerime, ka të tjerë që s’kanë reaguar fare, ose parapëlqejnë të hedhin ide në rrjetet sociale. Të gjitha pjesë të zinxhirit të komunikimit janë. Puna vazhdon dhe projektligji është drejt fundit.

Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi analizuar gjendjen në të cilën e gjetëm trashëgiminë, rrënimin e shumë monumenteve të paprekura e të pamirëmbajtura nga shteti prej gati tri dekadash, me të dhëna të vjetruara e të mangëta, mangësitë ligjore në administrimin e tyre, koston shumë të lartë financiare të mirëmbajtjes, modelet që përdoren në botë në mirëmbajtjen dhe administrimin e trashëgimisë kulturore, si dhe hapësirat që jep kuadri ligjor në fuqi për të gjetur të gjitha mundësitë e bashkëpunimit që realizojnë dy qëllime:
– Ruajtjen, mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore.

– Kërkimin dhe gjetjen e të gjitha bashkëpunimeve e partneriteteve për të shtuar burimet për ruajtje, mirëmbajte e vlerësim.
Në këtë frymë kemi marrë disa nisma, siç janë bashkëpunimet me Ministrinë e Arsimit, duke krijuar rrjetin “Miqtë e Monumentit”, falë të cilit kemi pastruar e mirëmbajtur jo pak monumente, me bashkitë siç është rasti me Bashkinë e Durrësit, të Gjirokastrës, të Korçës, të Krujës, Tiranës, ose me fondacione, siç është bashkëpunimi shembullor që kemi me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, me të cilët kemi realizuar dhe po realizojmë projekte restaurimi dhe mirëmbajtje, por edhe bashkadministrimi edhe me subjektet private, siç është rasti i pazarit të Krujës dhe pazarit të Korçës dhe shumë shpejt edhe ai i Tiranës, etj. Në vijim të këtyre përvojave tashmë të njohura dhe gjerësisht të komentuara në opinionin publik dhe atë profesionist, vjen edhe ky udhëzim për të cilin kemi gati një vit që punojmë.

Tani, të sqarojmë opinionin lidhur me udhëzimin, për çka abuzohet shumë, madje edhe me keqdashje, duke mos marrë as mundimin ta lexojnë me vëmendje tekstin e udhëzimit. Ky udhëzim është një akt nënligjor. Duhet të qartësojmë një element shumë të rëndësishëm në këtë drejtim. Udhëzimi është një akt nënligjor i karakterit sqarues dhe shtjellon procedurat që duhet të ndiqen, nuk “shpik” rregulla të reja të ndryshme nga ato tashmë të referuara në ligj, zbatimi i të cilit është detyrim në kompetencë të Ministrisë së Kulturës dhe të institucioneve të varësisë së saj.

Strukturat juridike të ministrisë kanë detyrë funksionale hartimin e akteve nënligjore për t’i bërë ato të zbatueshme për institucionet e trashëgimisë. Për këtë, Ministria e Kulturës ka konsultuar edhe ekspertë të jashtëm ligjorë me përvojë si nga shkolla e Magjistraturës, nga Dhoma e Avokatëve, apo të tjerë sektorë të sistemit të drejtësisë, për të siguruar pajtueshmërinë e tij me aspekte të ndryshme ligjore.

– Si do i përgjigjeshit kritikës se procesi nuk ka qenë transparent?
Sapo u sqarua më lartë lidhur me procesin, i cili është totalisht transparent. Ai është sidomos i qartë karshi të gjitha institucioneve shtetërore, të cilat do ta zbatojnë dhe kanë për detyrë parësore dhe funksionale ruajtjen, mbrojtjen dhe vlerësimin e objekteve të trashëgimisë kulturore.

Më lejoni gjithashtu të sqaroj se ky akt, pra një udhëzim, nuk përfshihet në aktet ligjore apo nënligjore, të cilat i nënshtrohen ligjit nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”. Në këtë rast jemi në zbatim të ligjit të trashëgimisë kulturore dhe për këtë qoftë ligji special, qoftë ligji për njoftimin dhe konsultimin publik nuk parashikon ndjekjen e procedurave apo konsultime me publikun për aktet administrative me karakter normativ siç janë urdhrat apo urdhëresat.

Pra, jemi në kushtet kur zbatojmë frymën e parashikimeve të ligjit në fjalë. Konsiderohet se këto faza të hartimit të këtij projektakti janë të ezauruara me hartimin dhe miratimin e ligjit të trashëgimisë kulturore. Megjithatë, që kur është firmosur udhëzimi, është botuar në faqen e saj zyrtare të internetit ku është edhe sot e kësaj dite, dhe më pas e ka botuar me iniciativën e saj edhe në Fletoren Zyrtare.

– Cilët kanë qenë njerëzit me të cilët jeni konsultuar për hartimin e udhëzimit?
Për hartimin e udhëzimit janë angazhuar punonjësit e Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve të varësisë. Drejtoritë e Përmbajtjes kanë bërë dhe vijojnë të bëjnë edhe këto ditë, vëzhgime dhe monitorime të shumta në objektet e kulturës të dhëna me qira në vite, bazuar në legjislacionet në fuqi në kohë të ndryshme. Nga këto raporte është arritur në konkluzionin që këto kontrata kanë prodhuar vetëm “shfrytëzim me qëllim realizimin e biznesit” dhe jo atë çfarë parashikon ligji “shfrytëzim me qëllim rijetëzimin e monumentit për qëllime social-kulturore”. Pasi është arritur ky konkluzion nga drejtoritë e përmbajtjes, po me këto struktura janë menduar edhe format e administrimit me qëllim të vetëm rijetëzimin, forma këto të parashikuara në legjislacionin në fuqi.

– Cili ka qenë opinioni i zv/ministrit Zef Çuni, drejtoreshës së Trashëgimisë, Zhuljeta Harasani dhe drejtoreshës së IMK-së, Arta Dollani për udhëzimin dhe vetë nismën në tërësi, pasi të tre këta janë ‘njerëzit e trashëgimisë’ në ekipin e ministres?
Kjo pyetje merr thellësisht përgjigje në përgjigjen e pyetjes së parë, kur fola për një proces të hollësishëm analizash dhe diskutimi në kuadrin e përgatitjes së ligjit të ri, ku janë përfshirë të gjitha institucionet e varësisë të trashëgimisë dhe ekspertë të jashtëm, anëtarë të Këshillave kombëtarë, ose jo.

Nga ana tjetër, duhet theksuar që kur flasim për hartim aktesh, ky proces kryhet nga instancat të cilave u delegohet kjo kompetencë ligjore. Në procesin e hartimit të akteve përfshihen strukturat e MK si funksione dhe jo si emra të përveçëm. Ministria e Kulturës funksionon si skuadër dhe si institucion me përgjegjësi të plota juridike dhe profesionale të koordinuara, jo si shoqatë.

Sigurisht që titullarët e sipërcituar dhe shumë titullarë të tjerë, kanë qenë pjesë e këtij procesi me strukturat e tyre të varësisë dhe produkti i tyre është ky akt që është miratuar së fundmi, pasi Drejtoria e Përgjithshme e Trashëgimisë Kulturore dhe institucionet e specializuara të trashëgimisë, janë pikërisht struktura të cilat kanë studiuar, inspektuar dhe ngritur problematikat e keqpërdorimit të monumenteve.

Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit Strategjik për Trashëgiminë dhe Diversitetin Kulturor ka pasur angazhim kryesor në këtë proces, duke filluar me hartimin e bazës së të dhënave për qiradhëniet deri në nxjerrjen e konkluzioneve lidhur me problemet mbi administrimin dhe shfrytëzimin e këtyre objekteve nga subjektet private.

– Pse për gjashtë muaj nuk u bë publik udhëzimi?
Edhe kësaj pyetjeje iu përgjigja më sipër, por po shtoj gjithashtu se institucioni nuk ka një afat ligjor brenda të cilit duhet të botojë një akt të tillë. Për fazat e publicitetit të këtij akti nuk kemi shkelur asnjë afat ligjor të përcaktuar. Dhe shtoj sërish, udhëzimi është publikuar në faqen zyrtare të MK qysh në krye të herës.

– Ju keni folur për mungesë besimi në sistemin e drejtësisë, duke përmendur rastin “Petrela”. Ndërkaq, për fat të keq, trashëgimia nuk njeh raste të llogaridhënies/ose të daljes para drejtësisë të atyre që kanë bërë dëme (as për ndërtimet e Gjirokastrës apo Krujës, që dikur të paligjshme për shkak të vendimeve të gjykatave, sot janë në këmbë). Si e ka menduar ministria në rastin e dhënies me qira – cilat janë penalizimet, ose masat shtrënguese? Cila është garancia (kemi parasysh edhe ndërrimet e administratës)?
Mosbesimi im në sistemin e gjykatave vjen nga shumë zhgënjime që ka pësuar shoqëria shqiptare nga sistemi gjyqësor e që shkojnë përtej rastit të kalasë së Petrelës dhe që më bindin se reforma në gjyqësor është thembra e Akilit për mbarëvajtjen e shumë punëve në Shqipëri, madje edhe të vetë ekzekutivit.

Penalitetet dhe masat shtrënguese për ndërhyrjet e paligjshme në monumentet e kulturës janë parashikuar sipas rastit në ligjin nr. 9048, datë 07.04.2003 “Për Trashëgiminë Kulturore” i ndryshuar. Neni 48 i ligjit parashikon për çdo rast shkelje të dispozitave ligjore kundravajtjen administrative për rastet kur nuk përbën vepër penale. Ky detyrim ligjor vetëm duhet të zbatohet nga të gjithë, si ata që përdorin monumentet e kulturës, ashtu edhe ata që i administrojnë ato.

Në rastin e kalasë së Lezhës ne vepruam me zhvlerësim të vendimeve pararendëse. Në shumë raste të tjera të shkeljes së ligjit kemi zbatuar të gjitha masat e parashikuara dhe jemi dëshmitarë të faktit që në dy vite e gjysmë janë shuar ndërtimet e paligjshme në zonat e trashëgimisë, për shkak të mbikëqyrjes sonë shumë të rreptë.

Garancia që jep ky akt për arritjen e qëllimit të përcaktuar “rijetëzimin” është që për çdo marrëdhënie kontraktuale do të duhet të ketë një projekt rijetëzimi të qartë, të filtruar më parë nga një komision i posaçëm ekspertësh dhe më pas të miratuar nga struktura kompetente kolegjiale si KKR dhe KKA. Për këtë projekt, i cili do të zbatohet nga subjekti në mënyrë detyruese, parashikohet një plan i mirëmbajtjes dhe garanci bankare, si dhe një plan monitorimi detyrues. Këto parashikime do të përfshihen në kontratën që do të nënshkruhet nga palët.

Përzgjedhja e subjekteve do të realizohet bazuar në një paketë me dokumentacion teknik dhe ligjor, i cili do të vlerësohet nga ana e Ministrisë së Kulturës për çdo rast.

– A e keni tashmë një kontratë tip dhe sa do jetë qiraja për metër katror?
Sot ka një kontratë tip për përdorimin e përkohshëm dhe mirëmbajtjen e monumenteve, kontratë të detajuar që ne e kemi futur në zbatim që prej dy vitesh, ndonëse nuk është detyrim ligjor. MK është duke punuar për hartimin e disa formateve për format e ndryshme të bashkëpunimit, në vijim të udhëzimit.

Kontrata do të përkthejë në dispozita të gjitha detyrimet ligjore përsa i takon ruajtjes, mirëmbajtjes, vlerësimit, përdorimit, tipologjisë së aktiviteteve, formatit të monitorimit etj., të objekteve Monument Kulture me qëllim rijetëzimin.
Qiraja për m2 do të referohet bazuar në aktet ligjore dhe nënligjore për dhënien me qira të pronës shtetërore. Megjithatë, kjo vlerë nuk do të jetë detyrimi i vetëm financiar. Çdo propozim apo projekt do të shqyrtohet rast pas rasti.

– Si do funksionojë Komisioni (i posaçëm) i Menaxhimit të Pasurive Kulturore? Me sa anëtarë? Të cilave profesione?
Ky komision nuk është detyrim ligjor, por është vullnet i Ministrisë së Kulturës dhe i vetë ministrit të sotëm që të ngrejë një komision ekspertësh, të ndryshëm sipas rastit e tipologjisë së projektit, si një organ kolegjial, për të shmangur arbitraritetet e një individi, qoftë ky edhe ministri.

– Në udhëzim thuhet se “kontrata e qirasë dhe marrëveshjet e bashkëpunimit me qëllim rijetëzimin për sipërfaqe deri në 200 m2, nënshkruhet nga institucioni që ka në varësi administrative monumentin pas autorizimit të ministrit të Kulturës, ndërsa kontratat për sipërfaqe mbi 200 m2 nënshkruhen nga ministri i Kulturës”. Cili institucion? A ka institucione veç ministrisë, që e meritojnë këtë besim?
Për rastet e objekteve me sipërfaqe deri në 200 m2, në zbatim të ligjit në fuqi, udhëzimi parashikon autorizimin e ministrit të Kulturës, i cili vlerëson rast pas rasti në konsultim me Komisionin e Posaçëm, para se të institucionet e specializuara të varësisë të lidhin kontratën, sipas kompetencës që u jep ligji për trashëgiminë kulturore.

– A është vënë në jetë udhëzimi këto gjashtë muaj? A ka pasur propozime? (Nëse po, ku?)
Ky udhëzim nuk është vënë në zbatim në këtë periudhë. Ndryshe nga eksperienca e qeverisjes së mëparshme e cila, para se të përgatiste rregulla, te bënte analizën e monumenteve, madje para edhe se të bënte inventarin e monumenteve për të ditur ku ishin e ku s’ishin monumentet, rendi të bënte lista monumentesh për t’i dhënë me qira!
Kjo përvojë ka qenë kaq e keqe saqë sot jo pak, deri diku me të drejtë, reagojnë si të djegurit nga qulli që i fryjnë kosit.

Po e përsëris, jemi në një qasje diametralisht të kundërt. Nuk ekziston asnjë listë monumentesh të paracaktuara për t’u dhënë me qira! Nuk ka asnjë plan nga MK, për motele e qofte, në sitet e trashëgimisë! Ky udhëzim sqaron rregulla të karakterit normativ. Nuk është akt administrativ individual për një ose disa subjekte konkrete të përcaktuara të së drejtës. Kjo duhet të jetë e qartë për publikun.

Jemi duke ndërtuar një vizion të administrimit të trashëgimisë sipas modeleve të suksesshme në botë. Dhe ky vizion fillon nga studimi, nga ndërtimi i bazës së të dhënave, nga analizat financiare, nga ndërtimi i kuadrit ligjor, i rregullave dhe i kritereve, para se të shkojmë në një projekt konkret. KËTU JEMI.
Po ndërkohë MK ka aplikuar forma të tjera bashkëpunimi, siç janë marrëveshjet e rijetëzimit të pazarit të Krujës dhe të Pazarit të Korçës me pushtetin lokal, me shoqatat e biznesit dhe me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit. Jemi të interesuar dhe të hapur për të vlerësuar propozime serioze të partnerëve strategjikë, që mbështesin me donacione trashëgiminë kulturore.

– A ka një model suksesi në Shqipëri të një monumenti, i cili pasi është marrë në administrim nga një privat, është kthyer në një model restaurimi e administrimi sipas parimeve të kartës së Veronës dhe modeleve më të suksesshme europiane?
Jo krejt kështu. Por, pazari i Korçës është një formë rijetëzimi i qendrës historike, e cila pasi u restaurua falë bashkëpunimit të qeverisë shqiptare me fondacionin e sipërpërmendur, do të monitorohet ngushtësisht nga MK dhe IMK në partneritetin e bashkisë me bizneset që do të zhvillohen brenda monumenteve.

– U citua si model suksesi fondacioni “Arena di Verona”. A jeni në dijeni se ky model është në prag falimenti dhe çfarë parashikohet nëse diçka e tillë ndodh tek ne? (http://www.ilfattoqu otidiano.it/2016/02/28/arena-di-verona-crisi-di-uneç ellenza-italiana-buco-da-32-milioni-il-conto-lo-pagano-i-lavoratori/2489338/)?
E para, ne kemi parë e studiuar shumë modele vitin e kaluar para se të hartonim udhëzuesin, mund t’ju përmend Muzeun e Artit në Dyseldorf, ose ndërtesën e Muzeut të Armëve në Holandë, raste të qarta të PPP-ve, po ashtu dhe Fondacionin Culturespaces në Francë, që ka 12 site kulturore në po këtë format, që nga kështjellat e deri tek Arena e famshme e Oranzhit, ku organizohet Festivali Ndërkombëtar i muzikës lirike dhe ku këndojnë dhe artistët tanë të skenës operistike. Arena e Veronës, e cila funksionon si një teatër i muzikës lirike që nga vitit 1913, administrohet nga fondacioni me të njëjtin emër, me themelues publikë e privatë, që është dhe modeli më i përhapur i PPP-ve në kulturë. Dhe këtu keni një lapsus në pyetjen tuaj.

Ajo çka MK vlerëson në këto bashkëpunime është modeli i administrimit të një siti të trashëgimisë me qëllim “rijetëzimin social-kulturor”. Në rastin e Arenës së Veronës nuk është modeli në falimentim, gjë që provohet nga suksesi që ky model ka pasur në arritjen e qëllimit të tij në ruajtjen e mirëmbajtjen e monumentit, që sot quhet “një ekselencë” edhe në artikullin që ju referoni. Edhe aty 80% e administrimit është shtetëror. Dhe, pavarësisht nga diskutimet e tyre të brendshme, të cituara në një artikull, lidhur me bilancin e një viti ekonomik të aktivitetit që zhvillohet në sit, ky model suksesi vazhdon që nga viti 1998, kur shteti italian kreu në fushën e art-kulturës reformimin duke ndërtuar partneritete publik-privat. Është shumë e rëndësishme të theksohet kjo gjë, pasi ky është edhe qëllimi i MK në hartimin e këtij akti. Të mos harrojmë që në modelet e propozuara nga ne, objektet janë pjesë e kapitalit shtetëror dhe çdo gjë që realizohet për to, i mbetet shtetit.

Dhe në fund, edhe UNESCO, edhe Këshilli i Europës, kanë paraqitur e botuar jo pak dokumente e rekomandime për PPP-të në fushën e kulturës, të cilat na kanë shërbyer si udhërrëfyes në punën dhe në qasjen tonë.

– A mendoni se ky udhëzim i hap udhë kthimit të kishave e manastireve Monument Kulture në administrim Kishës? Në veçanti Kisha Ortodokse ka kërkuar pronat e saj të shpallura monumente. Tashmë që shteti po shpall pamundësi financiare për mbajtjen e tyre?
Nuk është e njëjta gjë. Më lejoni të theksoj se qysh kur jam në këtë detyrë, MK, IMK dhe DRKK kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në shumë pak kohë. Objektet e kultit me vlera të rralla kanë qenë të harruarat e mëdha. I gjetëm në një gjendje emergjence absolute. Mjafton të theksoj që kemi kryer më shumë se 9 operacione shpëtimi vetëm në kisha si ajo e Ristozit në Mborje, e Shën Vangjelizmoit në Berat, e Shën Spiridhonit në Vuno që sapo e përuruam, e Rrmajit në Shkodër dhe ende jemi duke punuar me prioritet në projektet e restaurimit të kishës së Peshkëpisë, të Labovës së Kryqit në Gjirokastër, xhaminë e Gjin Aleksit në Delvinë, kisha e Dervenit në Krujë që janë objekte gjithashtu në situatë të vështirë, që kurrë s’kanë parë kujdes, ndërkohë që është gati projekti për kishën e Mesopotamit. Po restaurohet kisha e Shën Triadhës në Berat.

Janë gati projektet për katër kisha në Voskopojë dhe financimi për to, përfshi edhe atë të Shën Prodhonit. Të gjitha këto janë përballuar nga buxheti i qeverisë. I vetmi partneritet i mundshëm për kishat do të ishte bashkimi i burimeve të financimit për t’i restauruar e mirëmbajtur. Për këtë unë u bëj thirrje komuniteteve fetare për të qenë solidarë në këtë interes të përbashkët.
Nga ana tjetër, unë mendoj se kishat janë vende shumë të mira për aktivitete social-kulturore në shërbim të komunitetit, si për koncerte, ekspozita, forume, etj.

– Ligji i ri, në vija të përgjithshme, çfarë shton, apo saktëson?
Fola dhe më sipër për ligjin e ri. Projekti do të jetë shumë më i plotë se sa ligji aktual, i cili edhe kur prek çështjet, nuk u jep zgjidhje të plotë. Madje, lë shumë aspekte të trashëgimisë pa i prekur fare ose përciptazi, siç janë pasuritë e luajtshme kulturore, siç janë çështjet e pronësisë, siç janë çështjet e administrimit dhe të rijetëzimit, apo ato të sanksioneve që ne i parashikojmë shumë më të forta se sa ligji aktual. Gjithsesi, do të ketë konsulta të gjera për projektin me grupet e interesit dhe me partnerët.

– Në fund, çfarë u bë me ata që restauruan gjashtëkëndëshin e dëmtuar të Gjirokastrës?
Ata që restauruan së fundi gjashtëkëndëshin e dëmtuar në Gjirokastër janë punonjësit e DRKK–Gjirokastër. Ata vazhdojnë të punojnë çdo ditë në mirëmbajtjen emergjente të banesave, çative e mureve të Gjirokastrës së lënë në harresë për tridhjetë vite. Gjirokastrën e gjetëm në agoni. Gjirokastra është një rast i vështirë, që kërkon mobilizim dhe fonde të konsiderueshme.

Ndërsa, përsa u përket ndërhyrjeve në vitin 2011, dosjet në arkivën e IMK ishin shumë të mangëta e të paplota. Na është dashur të bëjmë kërkime lart e poshtë nëpër individë dhe iu drejtuam Zyrës Rajonale të UNESCO-s. Konstatuam se nga ana e IMK dhe e supervizorëve, që sot i keni edhe në tregun e lirë dhe madje kanë paturpësinë edhe të bëjnë kritika në emër të ekspertizës, janë firmosur e miratuar projektet teknike dhe raportet e supervizimit dhe të monitorimit duke konfirmuar punimet e bëra, që sot rezultojnë të mangëta, të sipërfaqshme dhe pa efikasitet. Kjo e bën juridikisht të vështirë rishikimin e procesit.

Edhe një herë: nuk mund të zgjidhet në dy vite ajo që s’është bërë në tridhjetë vite! Mirëmbajtja e trashëgimisë kulturore është punë milingone, ka kosto të lartë dhe do ritëm të rregullt. Ne trashëguam jo vetëm një situatë katastrofike në monumente, por edhe borxhe shumë të rënda për kulturën! Dhe pa asnjë dilemë pohoj se në dy vite është bërë jo pak po të kemi parasysh sa më sipër.

Ndërkohë DRKK, IMK dhe MK po punojnë ngushtësisht me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim për të vijuar me të njëjtin model në restaurimin e pazarit të Gjirokastrës. Jemi në fazën e përgatitjes së projektimit, i cili është mjaft kompleks dhe do kohën e vet.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: