“Misioni i LSI-së ka mbaruar bashkë me lojën ‘i treti i vërteti’”. Kjo ishte porosia e qartë që Edi Rama u ka dhënë bashkëpunëtorëve të tij në qarqe. Dy javë para datës së zgjedhjeve, kryesocialisti Rama ka dhënë porositë e tij në lidhje me këtë fazë të fushatës, veçanërisht për marrëdhënien me aleatin e tij në qeverisje, Ilir Metën, shkruan “Panorama”.

Pa i ndërprerë ata nga fushata, ai ka komunikuar deri pas mesnate me koordinatorët në qarqe përmes një video-konference, ku ka marrë të dhëna prej tyre për ecurinë e fushatës, por edhe votat që PS-ja parashikon të marrë në çdo bashki.

Burime nga drejtuesit politikë të PS-së në qarqe thanë se Rama se u ka thënë atyre se nuk është problem i socialistëve nëse Ilir Meta apo krerët e tjerë të partive të vogla e marrin këtë si luftë politike, apo personale ndaj tyre, dhe sipas tij socialistët nuk duhet të bien në batakun e fushatës së tyre të mbushur me mllef e kërcënime, pasi misioni i LSI-së ka mbaruar bashkë me lojën “i treti i vërteti”.

Drejtuesit politikë në qarqe kanë kërkuar shpjegime mbi deklaratën e bërë në komunikimin javor dhe mësohet se Rama e ka nënvizuar edhe më fort këtë tezë, duke argumentuar se nënshtrimi i mëtejshëm ndaj logjikës së copëtimit të administratës me LSI-në apo të tjerë, në dëm të projektit të shtetbërjes, për hir të numrave në parlament, është i papranueshëm për të.

Duke marrë edhe opinionet që vijnë nga çdo qark, nga kontaktet që kandidatët marrin me qytetarët, në komunikimin e së dielës në mbrëmje është thënë si nga Rama, ashtu dhe nga krerët e qarqeve se koalicioni me LSI-në është tanimë kapitull i mbyllur dhe disa prej tyre kanë kërkuar që kjo të thuhet hapur.

Gjatë bashkëbisedimit me bashkëpunëtorët e tij në krye të listave të kandidatëve, kryesocialisti ka ballafaquar të dhënat e sondazheve që PSja zhvillon çdo javë dhe raportimeve që jepnin drejtuesit politikë në çdo qark.

Në këndvështrimin e Ramës, pastrimi i zyrave të shërbimit për qytetarë nga të emëruarit e partive në hipoteka, patenta, inspektorate, është po aq jetik për shkatërrimin e korrupsionit, sa edhe pastrimi i Pallatit të Drejtësisë nga gjykatësit e korruptuar./Panorama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: