TIRANE- Shpesh herë ka ndodhur që shifrat e institucioneve publike të mos akordohen me ato të Zyrës kombëtare të Statistikave. Por për t’u dhënë fund këtyre përplasjeve INSTAT vijon të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me këto dikastere për dhënien e një informacioni më të saktë dhe të standardizuar.

Marrëveshja më e fundit është ajo me Këshillin Kombëtar të Punës e firmosur në ambientit e Panairit të Punës që po organizohet këto ditë në kryeqytet.

Ky është një hap i rëndësishëm për ministren e Mirëqenies Sociale Olta Xhacka, që sipas saj do të garantojë një sistem menaxhimi të dhënash transparent dhe të aksesueshëm për publikun.

“Marrëveshja e bashkëpunimit mes Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe INSTAT është një përpjekje embrionike, në raport me ngritjen e një sistemi menaxhimi të informacionit megjithatë është një hap i parë i domosdoshëm, i cili shënon një moment të rëndësishëm. Pasja e një Sistemi Menaxhimi të Informacionit (MIS), do të thotë të studiohen individët, nevojat e tyre për punësim, mënyra si do paraqitet informacioni, që të jetë lehtësisht i asimilueshëm, të studiohet teknologjia që do përdoret për ta aksesuar atë, si dhe tregu i punës për të siguruar një përputhje dhe përshtatshmëri midis kërkesave dhe ofertave”, nënvizoi Xhaçka.

Më tej, ajo vuri në dukje se informacioni nuk ka vlerë nëse nuk i shërben qëllimit.

“Jam optimiste për firmosjen e marrëveshjes, që nuk është thjesht një akt simbolik, por një progres drejt përmirësimit të cilësisë së statistikave të tregut të punës”, përfundoi ajo.

Duke parë suksesin e Panairit të Punës një vit më parë me 18 mijë vizitorë, ministrja Xhaçka u bën apel të rinjve të aplikojnë për vende pune. Janë në total 80 sipërmarrje të mëdha të cilat ofrojnë 5 mijë vende pune.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: