Shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, dhe komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, kanë përshëndetur zgjedhjen e Qeverisë së re të Maqedonisë. “BE është e gatshme të mbështesë punën e Qeverisë, si dhe të opozitës, në mënyrë që të zbatohen të gjitha pjesët e Marrëveshjes së Përzhinës për zgjidhjen e krizës politike”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Mogherini dhe Hahn janë shprehur se shpresojnë që partitë parlamentare do t’i lënë dallimet mënjanë dhe do të punojnë bashkërisht në axhendën e reformave, nga të cilat do të përfitojë e gjithë Maqedonia.

“Kjo është e rëndësishme për rikthimin e vendit në rrugën evropiane – proces të cilin qytetarët e duan dhe e meritojnë”, kanë thënë Mogherini dhe Hahn.

Sakaq, ka reaguar edhe Departamenti amerikan i shtetit duke uruar Maqedoninë për formimin e Qeverisë së re.

“Si mik dhe partner i Maqedonisë, SHBA-ja do të bashkëpunojë me Qeverinë e re në punën e saj drejt përmbushjes së aspiratave euroatlantike me implementimin e reformave urgjente”, thuhet në deklaratën DASH.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb