ATHINE– Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Federica Mogherini, në një intervistë të përbashkët për shtyp me kreun e diplomacisë greke nga Athina, ka deklaruar në mbrëmjen e se premtes se do të dëshironte personalisht që pas dy vitesh, kur mbaron edhe mandati i saj, i gjithë rajoni të ketë arritur në një pikë të pakthyeshme të ecurisë europiane.

E pyetur nëse është e kënaqur me ecurinë e reformave në Shqipëri, Mogherini ka deklaruar se puna që bëhet me Shqipërinë, por edhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, fokusohet në prioritetet që para së gjithash u referohen qytetarët e këtyre vendeve.

“Me vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë ende anëtarë të BE-së, ajo që po bëhet, është qasja dhe afrimiteti për të mbështetur reformat që kanë prioritet qytetaret, shoqëria, qoftë në fushën e qeverisjes, te shtetit të së drejtës, të luftës kundër korrupsionit, të reformave tradicionale dhe sociale. E gjithë kjo, së bashku, formojnë një objekt të vazhdueshëm të punës që bëjmë me të gjitha këto vende, përfshirë edhe Shqipërinë”, është shprehur Mogherini.

Gjithashtu, zyrtarja e lartë europiane ka nënvizuar se ka shanse që do të shfaqen në muajt e ardhshëm për sa i përket edhe çështjes së emrit të fqinjit verior të Greqisë,duke sqaruar se ka biseduar me ministrin e Jashtëm grek edhe për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe situatën në rajon.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka thënë se Athina mbështet politikën që ndjek BE për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb