TIRANË- Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Rrjeta” duke vënë në pranga tre punonjës të Policisë Bashkiake me akuzën për korrupsion.

Më datë 21.04.2017,  specialistët e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë kanë bërë të mundur finalizimin e operacionit “Rrjeta”, operacion ky që ka çuar në arrestimin në flagrancë të shtetasve:

– Erjon Beca, 37 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përgjegjës grupi pranë Policisë Bashkiake Tiranë për kontrollin e territorit.

– B. M, 25 vjeçe, banuese në Tiranë me detyrë punonjëse patrullës së policisë Bashkiake Tiranë.

– Astrit Breshani, 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë patrullë shërbimi në patrullën e Policisë Bashkiake Tiranë,

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi më datë 21.04.2017, rreth orës 16:00, pranë ZVRPP, punonjësit e policisë bashkiake me automjetin e punës dyshohet t’i kanë marrë shtetasit J.M. një shumë prej 200 mijë lekësh të vjetra, për lejimin e një tende (rrjetë mbrojtëse dielli) në një pikë lavazhi në qytetin e Tiranës.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua:

– 4 kartëmonedha, konkretisht 4 kartëmonedha me prerje 5.000 lekë të reja

– 5 telefona celularë të markave të ndryshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale “Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike i kryer në bashkëpunim”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb