GRAMSH- Zbardhet sherri mes mbështetësve të LSI dhe PS në qytetin e Gramshit. Gazetari Shkëlzen Henkoja raporton për BalkanWeb se në sherr është përfshirë administratori i një lokali në qytetin e Gramshit, Aurel Qafoku 40-vjeç, i cili ka kanosur kryetarin e FRESSH-it në këtë qytet, Enio Zanin 26-vjeç.

Të njëjtat burime saktësojnë se sherri ka ndodhur në lokalin që kishte me qira kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Admirim Kalaj.

Në momentin që kreu i FRESSH, Zani bashkë me anëtarë të tjerë të PS kishin shkuar të shpërndanin fletëpalosje në mbështetje të Partisë Socialiste, stafi i lokalit e ka marrë si provokim duke i përzënë me forcë, madje ka pasur edhe konfrontim fizik mes kamarierëve e mbështetësve të PS.

Në këto momente, Aurel Qafoku, një mbështetës i LSI-së është çuar nga tavolina dhe ka shkuar t’i ndajë të rinjtë. Shprehja që ka përsëritur tre herë Qafoku për Erion Zanin ishte: “Në lokalin tim nuk dua të shpërndahen fletëpalosje të asnjë force politike. Të lutem largohu”.

Për Qafokun u referuan materialet në Prokurori dhe po procedohet në gjendje të lirë për “Kanosje apo dhunim ndaj pjesmarrësve në zgjedhje”.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: