RUSI-Ministria e Jashtme e Rusisë ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) që të zvogëlojnë numrin e personelit diplomatik në Rusi dhe të mos përdorin disa prona diplomatike, raporton Anadolu Agency.

Sipas deklaratës së ministrisë, si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të reja ndaj Rusisë që pritet të zbatohen, Rusia kërkon nga SHBA-të të zvogëlojë numrin e personelit diplomatik në 455 persona, aq sa ka ambasada e Rusisë në SHBA.

Në deklaratë po ashtu kërkohet që ambasada amerikane të mos përdorë më rezidencën verore në lagjen Serebryany Bor dhe depotë që aktualisht përdoren nga kjo ambasadë.

Nga ministria ruse po ashtu kanë theksuar se Rusia do të përgjigjet reciprokisht ndaj çdo hapi të mundshëm të ri të SHBA-ve kundrejt diplomatëve rusë.

Masa e Rusisë erdhi një ditë pasi Senati i SHBA-ve miratoi sanksione të reja kundër Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut. Projektligji i është dërguar presidentit Donald Trump për miratim.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: