TIRANË- Ndërsa moti i ftohtë me reshje bore ka kapluar Shqipërinë si rrallë ndonjëherë, Kreu i qeverisë Edi Rama ka mbledhur Zyrën Operacionale në Kryeministri për të dëgjuar nga ministrat dhe krerët e institucioneve si paraqitet situata dhe masat e marra.

Deri më tani sipas kryeministrit, bilanci është pozitiv dhe se informacionet flasin për efikasitet dhe një situatë që është nën kontroll. Të njëjtën gjë Rama konfirmoi edhe për epideminë gripale, për të cilën tha se situata është drejt përmirësimit.
20170110-111133

Kryeministri ka falënderuar në mënyrë të veçantë ministrin e Transportit Sokol Dervishi që sipas tij ka qenë non stop në pikat e nxehta duke ndjekur situatën.

“Mungesa e koordinimit plagë e madhe në të gjitha këto operacione. Edhe në vitet e kaluara strukturat kanë bërë punën e tyre por ka munguar koordinimi çka ka bërë që pasojat të ndihen më shumë dhe duke mos lehtësuar vështirësitë e njerëzve. Falënderoj ministrin e Transportit i cili ka qenë non stop në të gjitha pikat e nxehta dhe ka drejtuar në terren një punë jo të lehtë. Dua të falënderoj punonjësit e OSHEE-së që punojnë në zonat e vështira në kushte jashtëzakonisht të rënda dhe që përballen jo thjesht me situatën e vështirë nga temperaturat e ulëta por edhe me faktin e njohur të një rrjeti tejet të amortizuar në zonat rurale, ku ende nuk janë shtrirë investimet tona. Sidoqoftë nga reagimet e kryetarëve të bashkive pa dallim, majtas ose djathtas dhe nga reagimet e qytetarëve kam mundur të konstatoj se puna e tyre është vlerësuar shumë lart. Një falënderim shumë i posaçëm për Forcat e Armatosura që edhe njëherë tjetër po tregojnë përgjegjshmëri maksimale dhe efikasitet me ndërhyrjet për të shpëtuar jetë njerëzisht siç është rasti i 3 personave që rrezikonin jetën për shkak të izolimit në një zonë minerale. Angazhimi i ministrisë së Bujqësisë që faktikisht siç e kam theksuar edhe në takimet e mëparshme ka qenë përpara se të fillonte kjo situatë. Gjithë anëtarët e tjerë të këtij shtabi që po bëjnë një punë voluminoze me rezultate mjaft pozitive deri tani.
Ajo që bën lajm është çka ndodhur në pamundësi për t’u evituar. Bilanci i deritanishëm mjaft pozitiv. Në këtë zyrë kemi informacion të përditësuar çdo 60 minuta nga gjithë territori. Informacioni flet për efikasitet dhe një situatë që është nën kontroll, ashtu siç me sa duket edhe situata e rënduar me epideminë e gripit është drejt përmirësimit që e tregon ulja e numrit të vizitave dhe shtrimet në spitale”, deklaroi Rama.

Kryeministri Edi Rama iu ka drejtuar edhe një apel shoferëve.

“Kemi konstatuar në mënyrë të përsëritur që vendosja e zinxhirëve për automjetet nuk është uniforme, gjë që qytetarët duhet ta kenë parasysh se mund të bëhen shkaktarë të aksidenteve duke rrezikuar jetën e tyre dhe të tjerëve”, tha ai.

Pas tij edhe ministri i Transportit Sokol Dervishi iu bëri apel drejtuesve të automjeteve të vendosin zinxhirët dhe të informohen për gjendjen e rrugëve.

“Apel i përsëritur gjatë gjithë këtyre ditëve, ju lutem, ju lutem përdorni zinxhirët dhe ndiqni informacionet për kalueshmërinë e rrugëve”, tha Dervishi, duke shtuar se akset kombëtare janë të qarkullueshme dhe se institucionet janë në gatishmëri. Ai evidentoi edhe një problem me ujësjellësit dhe ngrirjen e ujit për shkak të temperaturave të ulëta, por shtoi se është duke u zgjidhur.

Edhe Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri foli për situatën lidhur me ndërprerjet e energjisë, duke theksuar se punonjësit e OSHEE janë në gatishmëri dhe se janë reduktuar ndërprerjet e energjisë.

“Qytetarët duhet të na mirëkuptojnë nëse ka ndërprerje të energjisë elektrike. Këto janë kushtet, ky është sistemi”, tha ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb