Për Partizanin ditët janë të numëruara, duke qenë se shorti i Ligës së Europës hidhet shpejt dhe skuadra duhet të jetë e plotësuar, për të nisur përgatitjet për ndeshjen e parë. Për këtë arsye, drejtuesit janë duke shpejtuar në merkato për të afruar futbollistë cilësorë që do të zënë vendet e atyre që janë larguar, të cilët duhet thënë se nuk janë pak.

Burime pranë klubit të kuq kanë konfirmuar se ditën e sotme pritet të rikthehet në Tiranë këshilltari i presidentit Demi, Luçiano Moxhi. Ky i fundit nuk do të jetë i vetëm, pasi do të sjellë me vete edhe të paktën dy futbollistë të rinj. Emrat e tyre janë mbajtur sekret nga ana e klubit dhe do të konfirmohen vetëm në momentin që do të mbërrijnë në Tiranë.

Megjithatë, numri i atyre që Moxhi do të sjellë te të kuqtë deri në fundjavë pritet të jetë më i madh dhe mund të shkojë deri në 5. Italiani është ngarkuar për merkaton e të kuqve jashtë vendit. Ndërkohë që klubi vazhdon të presë një përgjigje nga argjentinasi Agustin Torasa dhe shpresohet që ai të jetë me skuadrën të paktën për ndeshjet e Europës. Torasa ka deklaruar pas ndeshjes së fundit të kampionatit se mund të vazhdojë karrierën në kampionatin e vendit të tij./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb