Të dielën kur Juventus të ndeshet në shtëpi me Crotone me gjasë një fitore që është tejet e arritshme për “zonjën e vjetër” e shpall automatikisht për të gjashtën herë kampion të Seria A si askush më parë.

Pas dështimit në formalizmin e titullit me ndeshjen e humbur në “Olimpico” ndaj Romës, kjo javë dukej perfekt për të festuar këtë arritje mbresëlënëse, por kjo nuk do te ndodhë edhe në rastin e kombinimeve të rezultateve duke marrë parasysh fitoren e Romës ndaj Chievo-s, raportojnë mediat italiane.

Festa dhe parada në qytet, që ishin programuar, nuk do të zhvillohen për shkak të fokusimit në finalen e Champions League, që është edhe objektivi parësor.

Skuadra torineze, që do të ketë gjithashtu një tjetër pikëtakim me historinë në axhendën e saj, të martën në finalen e Kupës së Italisë, kërkon të mbajë ritmin e programuar për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, atë që do të luhet në Kardif.

Më 3 qershor, në “Millennium Stadium” do të jetë përballë një rival jo i zakonshëm si Real Madrid, e për këtë çdo shpërqendrim i vogël do të rezultonte fatal. Drejtuesit dhe tifozët shpresojnë se do të festojnë gjithçka në një goditje të vetme: Champions, “Scudetto” dhe Kupën e Italisë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: