PRISHTINE- Isa Mustafa deklaroi sot se LDK shkon në zgjedhjet e reja me një kandidat të ri për Kryeministër. Pavarësisht se ai nuk përmendi emra, Mustafa përjashtoi mundësinë e do të jetë vet kandidati për kreun e qeverisë së Kosovës.

“Në bisedë me bashkëpunëtorët e ngushtë kemi vendosur që në mandatin e ardhshëm të kemi një Kryeministër tjetër. Sepse ne duhet të hapim rrugë në LDK për kuadro. Duhet të hapim rrugë për njerëz të ri”,  kështu deklaroi kryeministri në ikje.

Mes të tjerash ai pohoi se emri i kandidatit për kryeministër do të propozohet shumë shpejt. “Unë do të ulem me nënkryetarët e partisë, me sekretarin, me kryetarët e degëve dhe do të dalim me propozim se kush do të jetë Kryeministër i ardhshëm i Republikës nga LDK-ja”, ka shtuar ai.

Nga ana tjetër Mustafa ka folur fjalë të mira për ministrat dhe deputetët e LDK-së në këtë mandat. “Të gjithë mendjen e kemi te situata që po ballafaqohemi. Në qoftë se do të më pyetni mua se sikur të ktheheshit në vitin 2014, unë ju them se do të vendosja të njëjtën. Koalicionin e kemi bërë për Kosovën dhe për të mirën e Kosovës”, ka thënë Mustafa në fjalën e tij në 27-vjetorin e themelimit të LDK-së në Istog.

“Ata nuk na kanë tradhtuar neve. E kanë tradhtuar vetveten. Ju siguroj se kemi dhënë shembull të mirë se si qeveriset Kosova. Asnjëri prej nesh s’ka punuar për interesa private”, ka shtuar Mustafa.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: