PRISHTINE- Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka paralajmëruar riprocedimin për ratifikim në Kuvend, të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Isa Mustafa është shprehur në mbledhjen e Qeverisë se raporti final i matjes së territorit nga ana e Komisionit Shtetëror është në përfundim e sipër, prandaj, sipas tij, qeveria do ta procedojë marrëveshjen për në kuvend. Ai nuk ka saktësuar datën por është shprehur se demarkacioni do të riprocedohet këto ditë.

Sipas Mustafës, me ratifikimin e kësaj marrëveshje, Kosova do të përmbyllë shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, si dhe do të hapë perspektivën e procesit të liberalizimit të vizave.

Sidoqoftë, koalicioni qeverisës po përballet me sfidën e sigurimit të votave, njofton Evropa e Lirë.
Ratifikimi i kësaj marrëveshje, kërkon 80 vota të deputetëve, të cilat koalicioni nuk arriti t’i siguronte gjatë procedimit të parë të kësaj marrëveshje në Kuvend, në shtatorin e vitit të kaluar.

Opozita si dhe një numër i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës janë deklaruar kundër kësaj marrëveshje, duke besuar se me demarkacionin aktual, Kosova rrezikon të humb rreth 8 mijë hektarë tokë.

Po ashtu, mbetet e paqartë nëse në seancë do të merr pjesë edhe Lista Serbe, votat e të cilës janë të domosdoshme për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb