Pavijoni i Lashtësisë është ndërtuar që në vitin 1981 dhe që prej asaj kohe nuk ishte bërë asnjë rikonstruksion i pjesshëm apo i përgjithshëm.

Ndryshime u bënë në të gjitha periudhat prehistorike, ashtu si edhe tek vitrina dedikuar Kohës së Bronzit (3.700- 1.050 vite para Krishtit).

Vitrinat e Pavijonit të Lashtësisë u veshën me letër si dhe u pasurua ndriçimi me qëllim nxjerrjen në pah të vlerave origjinale, të pëlqyera dhe të kërkuara nga vizitorë vendas dhe të huaj.

Koha e bronzit paraqitet ndoshta si epoka më dinamike në zhvillimin shoqëror, ekonomik, shpirtëror të popullsisë së hershme ilire. Të dhënat e nxjerra nga shtresat e kulturës së bronzit dëshmojnë se territori i Shqipërisë gjatë kësaj epoke ka qenë i populluar gjerësisht.

Gjatë kësaj periudhe metalurgjia e bronzit kishte lulëzuar plotësisht dhe ishte kthyer në një zejtari të mirëfilltë.

Një nga treguesit më të rëndësishëm të periudhës së bronzit është qeramika e pikturuar e stilit devollit. Kjo lloj qeramike është quajtur devollite, sepse lindi e u zhvillua në pellgun e lumit Devoll. Ndër armët më tipike, të gjetura në territorin e vendit tonë mund të përmendim shpatat e heshtat.

Tipari më i rëndësishëm i epokës së bronzit lidhet me procesin e etnogjenezës së ilirëve, i cili bëhet edhe më intensiv në bronzin e mesëm (2.200-1.500 vjet para Kr.) dhe të vonë (1.500-1.050 vjet para Kr.).

Ky proces u zhvillua paralelisht me intensifikimin e kontakteve kulturore me botën mesdhetare, me ndryshimin e modelit të vendbanimeve, me ritet e reja të varrimit me tuma dhe me shndërrimin e kulturës materiale ilire. Para pavijonit të Lashtësisë, është Pavijoni i Mesjetës pasqyruar në dy salla të katit të dytë të Muzeut Historik Kombëtar.

Përmes koleksioneve, vizitorët njihen me zhvillimin ekonomik, social, politik dhe kulturor të shqiptarëve në periudhën nga shekulli VI deri në shek. XVIII.

Në këtë pavijon gjenden stemat heraldike të principatave shqiptare, mbishkrimi i principatës së Arbrit, porta monumentale e Manastirit të Gjon Vladimirit në Elbasan me stemën e princit Karl Topia si dhe Epitafi i Gllavenicës, i cili daton në vitin 1373.

Qëndresa e shqiptarëve ndaj pushtimit otoman pasqyrohet me anën e objekteve, fotove dhe dokumenteve të kohës. Nëpërmjet hartave, gravurave si dhe mjaft botimeve origjinale, vizitorët njihen me Skënderbeun, i cili simbolizon luftën e shqiptarëve kundër pushtimit osman.

Tek fotot e paraqitura mund të dallohen mjaft qartë ndryshimet e kryera./ATA/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: