SHKODER– Muzeu i Kalasë ngrihet në oborrin e tretë të Kalasë “Rozafa” në një ndërtesë të shekullit XV që njihet me emrin “Kapitaneria”, residenca e Kapitanit ( sundimtarit Venedikas).
Dallohet se është ndërtesë me karakter ushtarak nga trashësia e mureve (2.1m në bazë dhe 1.9m në katin e tretë) për t’i bërë ballë goditjeve direkte të artilerisë, nga dritaret e vogla që kanë shërbyer si frëngji (ato të katit të dytë), nga dalja e fshehtë, hyrja e së cilës është në katin e parë dhe nga qemeri masiv prej guri që e mbulon i cili shërbente për ta mbrojtur nga predhat zjarrvënëse.
Në këtë muze janë të ekspozuara dëshmi të banimit të Shkodrës në periudha të ndryshme historike.
Pjesë të tij janë armë e dokumente të ndryshme, dëshmi e luftërave historike të Shkodrës ndaj pushtuesve të ndryshëm të shfaqur në kohë të ndryshme në Shkodër, dëshmi e veprimtarive të feudaleve Bushatllinj të shek. XVIII.
Në Muze me anë dokumentash e objektesh të ekspozuara paraqitet Kalaja në rrjedhën e historisë e lidhur ngusht kjo edhe me historinë e qytetit.
Përballë derës kryesore është një bazoreliev në gips, i autorit shkodran Skënder Kraja.
Vepra paraqet legjendën e themelimit të Kalasë, sipas së cilës gruaja e re vetëflijohet që të qëndrojnë muret mbrojtëse të qytetit.
Sot, ky muze së bashku me kalanë e vjetër janë kthyer në destinacione turistike ku shumë vizitore vendas e të huaj shuajnë kureshtjen e tyre mbi legjendën e flijimit që fshihet nën themelet e kalasë.
(el.sp/BalkanWeb)