TIRANE– Një ditë pasi kryeministri Edi Rama shprehu qëndrimin e tij lidhur me emrin e presidentin e r, dhe nëse mund të jetë ai Fatos Nano, ka ardhur edhe qëndrimi i LSI.

Kreu i PS deklaroi mbrëmjen e djeshme se ka marrëdhënie të mira me Fatos Nanon, duke u shprehur: “S’dua të marr emra konkret. Kemi marrëdhënie shumë të mirë. Por s’merrem me katundin mediatik. Respekti për të thënë që mos të marrim njerëz nëpër gojë”.

Por edhe pse nesër do të mbahet në Kuvend raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të ri, Lëvizja Socialiste për Integrim është e vendosur të mos paraqesë asnjë emër dhe të mos diskutojë për asnjë emër nga e majta, për aq kohë sa nuk ka një marrëveshje me opozitën.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve gjatë një konference për shtyp, për emrin e Fatos Nanos si kandidaturë e mundshme për President, nënkryetari i LSI-së, Luan Rama tha se i rëndësishëm është procesi me pjesëmarrjen e opozitës.

A është emri i Fatos Nanos për President?
Nuk kam çfarë të shtoj asnjë fjalë më shumë nga sa ka thënë Ilir Meta pas takimit që ne zhvilluam me lidershipin e PS-­së.

Ekziston mundësia që të digjen të pesë raundet për zgjedhjen e Presidentit?
Meta e bëri të qartë qëndrimin lidhur me çështjen e Presidentit duke nënvizuar domosdoshmërinë e pjesëmarrjes me kontributin e vet edhe të opozitës. Për sa kohë jemi me shpresë që ekzistojnë mundësitë që opozita të bëhet pjesë e procesit pasi të jepen garancitë që zgjedhjet të bëhen sipas standardeve, nuk duhet të ngutemi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb