*Ermal Mamaqi ndez Festën e Birra Korça,sot Elton Deda e Juliana Pasha

NGA: LEDIONA XHELADINAJ*
KORCE- Nata e dytë e Festës së Birrës ka “ndezur” qytetin e Korçës. Mbi 40 mijë persona nga rrethe të ndryshme të vendit dhe jo vetëm kanë “pushtuar” sheshin përpara stadiumit të qytetit, duke festuar deri në orët e vona të natës. Muzika live me zërat më të mirë të skenës shqiptare ka krijuar atmosferë të ngrohtë për pjesëmarrësit, të cilët e kanë gdhirë duke kërcyer dhe konsumuar “Birra Korça”. Festa e Birrës është një ndër evenimentet më të preferuara për turistët vendës dhe të huaj, të cilët kanë zaptuar çdo cep të qytetit, ndërsa hotelet janë të tejmbushura. Mijëra prej tyre kanë udhëtuar me kilometra të tëra për të qenë të pranishëm në këtë festë të mrekullueshme, ndërsa të gjithë preferojnë mbretëreshën, “Birra Korça”. I gjithë qyteti është në festë. Në çdo orë, në çdo kohë, të gjitha rrugët janë të mbushura me “mysafirë” të ardhur nga i gjithë vendi. Në natën e dytë të kësaj feste magjike ka pasur një numër të madh pjesëmarrësish, të cilët kanë ardhur nga shteti fqinj, Greqia, posaçërisht për Festën e Birrës. Të mahnitur nga organizimi dhe gjithçka tjetër, ata falënderuan organizatorët, ndërsa thanë se kjo është e vetmja festë, e cila bashkon të gjithë emigrantët nga mbarë bota.

NATA E DYTË E FESTËS
“Ndihem i mrekulluar që në vendin tim ekziston një festë e tillë, që na bashkon të gjithëve ne emigrantët. Jam shumë i emocionuar kur shoh dhe takoj shqiptarë, të cilët janë kthyer nga emigrimi vetëm për të qenë në këtë festë dhe ndihemi krenarë për njëritjetrin, pasi tregon që jemi të bashkuar. Një atmosferë të tillë të magjishme ta ofron vetëm Korça me këtë festë. Më e veçanta dhe specialja e kësaj feste është sigurisht ‘Birra Korça’, e cila ka një shije të jashtëzakonshme. Unë nuk e ndërroj me asnjë pije tjetër, pasi prej vitesh në familjen tonë apo me miqtë mbizotëron ‘Birra Korça'”, tha një emigrant i ardhur nga Athina. Ndërkohë, në sheshin e mbushur plot me njerëz, ku janë vendosur 13 stenda, në çdo tavolinë syri të sheh vetëm “Birrën Korça”, e cila është shoqëruesja e të gjithëve. Ndërsa një qytetar nga Maqedonia pohoi se askund tjetër nuk ka parë një atmosferë si kjo që ndodh në Festën e Birrës në Korçë. “Është bukur të festosh në këtë qytet të mrekullueshëm. Gjithçka është mahnitëse, muzika, ambienti. Kërnackat e Korçës, qoftet, njerëzit dhe ajo që më bën shumë përshtypje është kjo pije kaq e shijshme, ‘Birra Korça’. Nuk e kisha provuar ndonjëherë, por që nga sot nuk e ndaj më nga vetja dhe sigurisht që do t’ua sugjeroj të gjithë të njohurve të mi”, u shpreh Dobro, cili ka udhëtuar prej Shkupit së bashku me shoqërinë për të festuar në Korçë. Përveç atmosferës dhe organizimit, pjesëmarrësit u shprehën mjaft të kënaqur edhe me çmimet.

KËNGËTARËT
Këngëtarët Aleksandër Gjoka, Renis Gjoka, Anxhela Peristeri, Aurel Thellimi dhe ‘Domino band’ krijuan mbrëmë një atmosferë të jashtëzakonshme. Ndërkohë, Festa e Birrës është prezantuar nga Ermal Mamaqi. “Kënaqësi të prezantoj Festën e Birrës. Kjo festë sa vjen e rritet me dimensionin e saj. Këtë e dëshmojnë rezervimet në të gjitha hotelet e Korçës, të cilat janë plot. Festa është një nga ato aktivitete, ku çdo artist shqiptar do donte të ishte pjesë. Një gjë më bën përshtypje, që çdo herë e më tepër gjej miq të mirë në Korçë. Jam i nderuar që organizatorët më përzgjodhën dhe këtë mbrëmje do të sjell humor, qofte dhe dy birra ‘Korça’. Unë nuk pi shpesh birrë, por kur konsumoj, zgjedh vetëm këtë
birrë”, tha Mamaqi.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: