NGA VJOLLCA KONGJONI

Mali i zi së shpejti pritet të jetë anëtari më i ri i NATO-s. Një kontribut të veçantë në këtë drejtim ka dhënë edhe Shqipëria ku prej disa muajsh janë zhvilluar takime intensive të niveleve të larta, që nga kryeministri, ministra dhe Presidenti. Vizita e fundit është ajo e kreut të qeverisë Edi Rama në Podgoricë këtë të hënë ku është takuar me kryeministrin malazez, Dushko Markoviç. Futjen në NATO të vendit fqinj, Rama e cilësoi si një arritje historike për të gjithë rajonin.

“Shqipëria na ka mbështetur shumë për rrugëtimin tonë në NATO dhe ne e falënderojmë shumë. Por gjithashtu edhe ne kemi mbështetur komunitetin shqiptar dhe kemi rritur bashkëveprimin me ta. Është duke u miratuar ligji për pakicat shqiptare ku do të kenë një përfaqësues, por ashtu edhe Mali i Zi do të ketë përfaqësues në Shqipëri”, u shpreh Markoviç.

Por kryeministri Rama nuk mjaftohet me kaq, ai ka ftuar homologun e tij të nisin një cikël të ri marrëdhëniesh duke nisur me mbledhjen e dy qeverive në Shkodër në muajin tetor.

“Ky do të jetë një mjet një model i mirë jo vetëm në nivel kryeministrash por edhe ministrash të linjës për të prekur projekte konkrete duke përkufizuar planet  për realizimin e tyre. Ne po përgatitemi me kujdes për këtë seancë”, tha Rama.

Nga takimi në Podgoricë u fol edhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve për një sërë çështjesh të tjera si procesi i integrimit apo edhe lufta e përbashkët kundër krimit ndërkufitar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb