SHBA- Akrobati i njohur, mjeshtri i Estradës së Tiranës, Telat Agolli, është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm në New York. Lajmi bëhet i ditur nga familjarët e tij. Mjeshtri i cirkut, prej disa kohësh ndodhej në gjendje jo të mirë shëndetsore.

Trupi i pajetë pritet të kthehet në vendlindje nga fillimi i javës tjetër, kur do të organizohet edhe një ceremoni përcjellëse për në banesën e fundit.

Telat Agolli ka nisur punë në vitin 1952, si një nga iniciatorët e parë të bërthamës që krijoi Cirkun pranë Estradës së Tiranës. Ky grup me në krye akrobatin Telat Agolli, dha premierën e parë me titull “Shkopi Magjik” me numra cirku në vitin 1959.

KUSH ESHTE MJESHTRI TELAT AGOLLI
Telat Agolli ka lindur më 15 shkurt 1932 në Tiranë. Ai ndoqi studimet e larta në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi”. Më pas u kualifikua për akrobaci.

Aktiviteti sportiv

* Kampion i vendit në gjimnastikë (viti 1954)

* Kampion Kombëtar absolut prej 20 vjetësh në ngritje peshe me 99 rekorde kombëtare (aktiviteti 1950-1972)

* Trajner Sporti i Klubit “17 Nëntori” dhe i ekipit kombëtar në ngritje peshe, ku u shqua për rezultate të larta në nxjerrjen e talenteve të reja e kampionë të ardhshëm në peshëngritje (përmendim Ymer Pampurin Kampion Kombëtar dhe Olimpik, Bujar Bodinakun dhe Mirjam Hakanin, Kampionë dhe Rekordmenë Kombëtar.

Tituj dhe merita në sport

* Mjeshtër Sporti

* Mjeshtër i merituar i Sportit

* Nder i Sportit Shqiptar (nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, 21/04/2000, Tiranë)

* Mirënjohje nga Komiteti Olimpik Shqiptar

* Kupa dhe medalje të ndryshme, vlerësuese dhe simbolike, dhënë nga në spektakle e ceremoni sportive dhe artistike

* Nder i Sportit të Peshëngritjes, viti 2010

Aktiviteti Artistik

* Ka qenë ndër të parët artistë akrobatë i inkuadruar në Trupën e Estradës së Tiranë (viti 1952), si profesionist;

* Ka qenë kryesori në bërthamën e akrobatëve në Estradën e Tiranës;

* Krijuesi dhe themeluesi i Cirkut Profesionist Shqiptar;

* Ka qenë drejtues, në rolin e Udhëheqësit Artistik e shpesh si regjizor i Trupës së Cirkut, duke e çuar këtë trupë dhe këtë art në arritje të larta profesionale e artistike, në nivele bashkëkohore ndërkombëtare;

* Në këtë aktivitet është shquar për nivel të lartë ekzekutimi interpretimi të numrave akrobatikë, në zhanre të ndryshme të cirkut, të cilat kanë qenë të shumta, ku spikasin etydet akrobatike, numrat e ajrit, ato të ekuilibrit në trungje e biçikleta, në atë të ekuilibrit me bambu në ballë e supe, etj.;

* Ka qenë ndër të parët dhe inspiruesit në vënien e artit të cirkut në drejtim të krijimmtarisë, ekzekutimit dhe interpretimit në tabanin kombëtar dhe frymën popullore;

* Ka qenë njohës i mirë i zhanreve dhe varieteteve të cirkut, duke ndihmuar në punën si krijues , të cilat janë të shumta dhe origjinale;

* Ka një meritë kryesore dhe të padiskutueshme në përkrahjen e elementit të ri, duke e parë atë si një domosdoshmëri në përparimin e artit të cirkut;

* Ka një meritë të veçantë në ndarjen e cirkut si institucion më vete (1973), në marrjen e çadrës arenë, në fuqizimin e trupës me artistë të rinj;

* Vitet në karrierën artistike (1952-1976 dhe 1984-1993);

* U dënua nga sistemi komunist me motivacionin “Agjitacion dhe propagandë ndaj sistemit” (1976-1982), vit kur u lirua nga burgu. Më pas u kthye ne cirk, duke dhënë kontributin më të madh në ecurinë e mëtejshme të cirkut, në rolin e artistit dhe udhëheqës artistic.

Tituj në art

* Artist i Merituar (1969)

* Artist i Popullit (1975)

Tituj të tjerë

* Mirënjohje e qytetit të Tiranës (nga Këshilli Bashkiak, për vlera të larta qytetarie dhe intelektuale, të vëna në shërbim të qytetit të Tiranës) 21/04/2000, Tiranë

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: