Regjisorja Marianthi Xhako-Qemo ka ndërruar jetë pasditen e së dielës në moshën 81-vjeçare.

E vlerësuar me titullin “Artiste e merituar”, Marianthi Xhako konsiderohej si një nga krijueset veterane të ish-Kinostudios “Shqipëria e re”.

Marianthi Xhako, regjisore e filmave kronikalë dhe dokumentarë, u lind në Berat me 2 nëntor 1936. Atje ajo kaloi fëmijërinë dhe mori mësimet e para deri në përfundim të shkollës së mesme me vlerësime maksimale.

Mbasi kreu studimet e larta për regjisurë në Institutin Kinematografik të Moskës në ish-BS, në vitin 1960 filloi punë si regjisore në Kinostudion “Shqipëria e re”.

Ajo është regjisorja e parë dhe një nga më të talentuarat të dokumentarit shqiptar. Gjatë karrierës së saj realizoi rreth 60 filma dokumentarë.

“Gjatë më shumë se tri dekada ajo realizoi shumë filma dokumentarë e kronikalë, ku më të spikaturit janë: “Qyteti i një mbi një dritareve”- 1959 dokumentari me të cilin Xhako mbrojti diplomën në Bashkimin Sovjetik. “Reportazh nga Kurbneshi”, “Burim i pashtershëm”, “Nënë Shqipëri” (mbi motivet e poemës me të njëjtin titull të Dritero Agollit), “Viti 1924”, “Margarita dhe Kristaqi”, “Hasan Prishtina”, “Piktori Buza”, “Tefta Tashko” dhe shumë e shumë dokumentare të tjerë”, shprehet Kujtim Gjonaj. Ai shton se, “Në krijimtarinë e Marianthit, përveç artit dhe talentit frymëzues spikat patriotizmi dhe ndjenja e dashurisë për Shqipërinë dhe njeriun e thjeshtë”.

Për kontributin e saj në artin kinematografik Marianthi Xhako është nderuar me titullin “Artiste e merituar” dhe me disa çmime në festivalet e filmit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb