Nga Klodjana Lala
Zbardhet skema e grabitjes së blindave që po trasportonin sot drejt aeroportit të Rinasit, shuma të konsiderueshme parash. Sipas një dëshmitari okular në vendngjarje dy autoblindat e një banke të nivelit të dytë, po shkonin në drejtin të aeroportit kur papritur, një makinë fuoristradë, që vinte nga Rinasi në drejtim të Tiranës, është përplasur me blindin e parë.

“BalkanWeb” mëson se nga fuoristrada kanë dalë tre grabitësit, të veshur me kamuflazh të zi e kambale ushtarake dhe nën kërcënimin e kallashnikovëve, kanë detyruar shoferin e blindit dhe shoqëruesin e tij të zbresin.

Makina shoqëruese, në të cilën ndodheshin forcat e sigurisë së shoqërisë private, nuk ka mundur të reagojë, pasi është goditur nga mbrapa nga një makinë tjetër po fuoristradë, në të cilën dyshohet se ndodheshin dy grabitës të tjerë. Këta të fundit, mëson “BalkanWeb” kanë dalë nga automjeti dhe kanë neutralizuar punonjësit e sigurisë.
grabitja5
Vetëm njëri nga rojet private, ka mundur të largohet, me vrap nga vendi i ngjarjes.
Dëshmitari shpjegon për “BalkanWeb” se grabitësit qëlluan me armë dhe kanë mundur të marrin 6-7 thasë me para.

Më pas, dy makinat me të cilët udhëtonin grabitësit, kanë marrë rrugën në drejtim të Tiranës. Gjithçka ka ndodhur në rreth 2 minuta.
Në urën e Kasharit, kanë hyrë në rrugë dytësore dhe në afërsi të Urës së Limuthit grabitësit, kanë djegur makinat dhe janë larguar.

Njëri nga blindat ka shenja plumbash në xhama dhe mendohet që është qëlluar edhe nga forcat e sigurisë.
Nuk dihet shuma e saktë e parave të grabitura.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb